Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka marrë pjesë në takimin dyditor të sekretarëve për marrëdhënie ndërkombëtare të partive socialdemokrate të Ballkanit, i mbajtur në Vjenë dhe i organizuar nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet partive socialdemokrate, si përgjigje ndaj rritjes së së djathtës ekstreme në Evropë dhe më gjerë.
“Pjesëmarrësit diskutuan për sfidat politike në rajon dhe në Evropë, si dhe për nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet forcave socialdemokrate”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në kuadër të takimit janë shkëmbyer përvoja mbi organizimin partiak dhe aktivitetin politik, ndërsa Çeku ka prezantuar përvojën e qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe rezultatet në zbatimin e programit socialdemokrat në Kosovë.
“Sekretari Çeku prezantoi rezultatet e qeverisjes dhe zbatimin e politikave socialdemokrate në Kosovë”, theksohet më tej.
Në kuadër të vizitës në Austri, sekretarët janë pritur edhe në selinë e Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPÖ), ku kanë zhvilluar diskutime me sekretarin e ri për marrëdhënie ndërkombëtare të kësaj partie, Thomas Zehetner.