Parandalohet kontrabandimi i telefonave në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë

Prishtinë | 07 Maj 2026 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka parandaluar një tentim për kontrabandim të mjeteve të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

Sipas komunikatës, rasti ka ndodhur sot rreth orës 13:10, pas një aksioni të realizuar nga stafi i sigurisë, bazuar në informacionet e Njësisë së Inteligjencës dhe në koordinim me Departamentin për Siguri të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Është realizuar një bastisje nga stafi i sigurisë, me ç’rast është parandaluar një tentim për kontrabandim të mjeteve të ndaluara”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit në hapësirat e jashtme të institucionit, zyrtarët kanë identifikuar nëntë topa të mbetur nga aktivitetet sportive të të dënuarve.

“Pas verifikimit, brenda njërit top të dyshimtë janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona mobil të modelit iPhone, dy kartela SIM, si dhe një kabllo mbushëse”, bëhet e ditur në komunikatë.

Sipas Shërbimit Korrektues, me këtë aksion është parandaluar futja e mjeteve të ndaluara brenda institucionit korrektues.

Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa janë iniciuar procedurat përkatëse hetimore dhe disiplinore.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në parandalimin e çdo veprimtarie të kundërligjshme brenda institucioneve korrektuese dhe garantimin e sigurisë në të gjitha qendrat”, thuhet në fund të komunikatës.

Të ngjashme