“Dallaveret me prona” në Kadastër, ky është vendimi i gjykatës për aksionin në AKK

Prishtinë | 07 Maj 2026 | 19:38 | Nga Ekonomia Online

Pesë personat e arrestuar gjatë aksionit të fundit policor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, të dyshuar për përfshirje në “dallavere me prona”, nuk do të qëndrojnë prapa grilave.

Insajderi merr vesh se Gjykata ka refuzuar kërkesën për masën e paraburgimit, duke caktuar ndaj të dyshuarve masën e paraqitjes në stacionin policor.

Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, dje ka zhvilluar një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, si dhe në disa lokacione të tjera.

Sipas Prokurorisë, aksioni është kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kuadër të hetimeve për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit me inicialet A.Q. dhe N.K. dyshohet se kanë përdorur një dokument të falsifikuar të vitit 1966, të titulluar “Kontratë për këmbim të paluajtshmërive”, për të paraqitur rrejshëm një këmbim pronash dhe për të siguruar përfitim pasuror të kundërligjshëm.

“Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhej në komunikatë.

Sipas hetimeve, me ndihmën e zyrtarit A.B., dokumenti i dyshuar si i falsifikuar është paraqitur si autentik dhe është futur në arkivat e gjykatës, megjithëse, sipas Prokurorisë, “një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare”.

Prokuroria dyshon se A.B., si person zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka krijuar dosje fiktive për të mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar.

Ndërkohë, dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me inicialet B.Sh. dhe M.B., dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar në mënyrë të kundërligjshme ankesën e N.K.-së dhe duke obliguar Komunën e Prishtinës ta regjistrojë pronën në emër të tij. 

Të ngjashme