Vjosa Osmani prezanton Arjeta Musliun: Do të jetë zëri i familjeve që luftojnë me varësinë

Prishtinë | 07 Maj 2026 | 20:19 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar Arjeta Musliun si pjesë të rrugëtimit politik për zgjedhjet e 7 qershorit, duke vlerësuar angazhimin e saj për familjet dhe të rinjtë e prekur nga varësia nga substancat narkotike.

Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se historia e Musliut nuk është formësuar nga politika, por nga dhimbja personale, të cilën ajo e ka kthyer në forcë dhe mision.

“Historia e saj nuk u formësua nga politika, por nga dhimbja. Me një plagë që shumëkush nuk e sheh, por që ajo e ka kthyer në forcë”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, Musliu ka zgjedhur që përvojën e saj ta shndërrojë në përkushtim për të ndihmuar familjet që përballen me varësinë.

“Në vend që ta thyejë, ajo e ka shndërruar në mision për të shpëtuar jetë, për t’u dhënë zë familjeve që luftojnë në heshtje dhe për t’u rikthyer shpresën atyre që e kanë humbur”, thuhet në postim.

Osmani ka rikujtuar se në vitin 2021 e kishte dekoruar Musliun me Urdhrin Presidencial “Shote Galica”, si vlerësim për kontributin e saj.

“Për këtë rrugëtim, pata nderin që në vitin 2021 ta dekoroj me Urdhrin Presidencial ‘Shote Galica’”, ka deklaruar presidentja.

Ajo ka shtuar se Musliu do të jetë zë i kësaj kauze në Kuvendin e Kosovës.

“Arjetën e kemi mbështetur dje. E mbështesim sot. Dhe do ta mbështesim gjithmonë. Ajo do të jetë zëri i kësaj kauze në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar Osmani.

Të ngjashme