Mashtrimi me kriptovaluta prej 12 mijë eurosh, një muaj paraburgim për dy të pandehurit në Ferizaj

Prishtinë | 08 Maj 2026 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.L. dhe R.J. që dyshohen për veprën penale të mashtrimit.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Alba Makolli, ka vlerësuar se:

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17 prill 2026, në një rrugë në Ferizaj, të pandehurit, me dashje dhe në bashkëveprim së bashku edhe me të pandehurin V.N., i cili gjendet në arrati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdor emra të rreme (A. dhe B.), i vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F., dhe Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital “wallet”,  ashtu që për realizmin e kësaj skeme fillimisht sigurojnë një lokal me qira dhe caktojnë takim me të dëmtuarit, dhe në lokal arrijnë që të njëjtëve t’ua marrin shumën e të hollave prej 12,000.00 Euro, të cilat të holla sipas planit paraprak, i fusin në një çantë me ngjyrë të gjelbër, i vendosin në një dollap brenda lokalit, në të cilin paraprakisht kishin hapur një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës i marrin të hollat pa dijeninë e të dëmtuarve, dhe më pas largohen në drejtim të panjohur, me ç’rast pas veprimeve operative arrihet të zbulohet se të pandehurit përsëri do të vepronin skemën e njëjtë në një rrugë në Kaçanik, duke marrë një lokal me qira dhe duke caktuar takimin në atë lokal, ashtu që pas reagimit të hetuesve policorë arrihen që të njëjtit të arrestohen në vendngjarje, ndërsa i pandehuri V.N., arrin të arratiset.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Të ngjashme