Nesër BE-ja shënon Ditën e Evropës në Kosovë, publikohet agjenda

Prishtinë | 08 Maj 2026 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian në Kosovë do ta shënojë nesër Ditën e Evropës me një sërë aktivitetesh të organizuara anembanë vendit, duke përfshirë edhe aktivitete kulturore, informative dhe argëtuese.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, në kryeqytet do të mbahet edhe Panairi “Team Europe”, i cili do të mbledhë më shumë se 25 ekspozues, përfshirë shtetet anëtare të BE-së, biznese të mbështetura nga BE-ja, organizata joqeveritare, programe të ndryshme, si dhe Asociacionin Ukrainës në Kosovë “Bridges of Friendship”.

Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së, programi i panairit do të përfshijë aktivitete të ndryshme kulturore dhe argëtuese, të dedikuara për të gjitha moshat, duke synuar promovimin e bashkëpunimit dhe vlerave evropiane në Kosovë.

Panairi do të hapet të shtunën, më 9 maj, në orën 13:00, në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ndërsa në fillim të panairit, fjalën do ta marr Ushtruesja e Detyrës së Shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Ndërsa në mbrëmje, nga ora 20:00 deri në ora 22:00, do të ketë koncert në sheshin  “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Përveç aktiviteteve që do të mbahen në Prishtinë, organizime do të ketë edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut, më fillim nga ora 12:00 të ditës së shtunë.

Ndërsa në mbrëmje nga ora 20:00 do të ketë koncert në rrugën “Mbreti Pjetër 1”.

Të ngjashme