Kurti: Opozita po bllokon shtetin, LVV do të dalë edhe më e fuqishme më 7 qershor

Prishtinë | 10 Maj 2026 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në mbledhjen e 63-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ku ka folur për zgjedhjet e 7 qershorit, zhvillimet politike në vend dhe punën e qeverisë gjatë mandatit të fundit.

Kurti ka deklaruar se LVV synon të rrisë mbështetjen qytetare në zgjedhjet e ardhshme, duke përmendur rezultatet e mëparshme zgjedhore.

“Jemi saktësisht 29 ditë larg 7 qershorit. Pra, nesër katër javë janë zgjedhjet e reja e të jashtëzakonshme. Prej shkurtit deri në dhjetor, pra, në vitin e kaluar, u rritëm 9%. E nëse rritemi po aq prej dhjetorit e deri në qershor, atëherë vërtet do të mund ta prekim edhe 60%”, tha Kurti.

Ai akuzoi opozitën për bllokim institucional dhe tha se partitë opozitare po pengojnë funksionimin normal të institucioneve.

“Përballë nesh kemi një opozitë që e ka kuptuar se nuk mund ta mundë popullin, prandaj ka zgjedhur të bllokojë shtetin. Ata mendojnë se duke bllokuar zgjedhjen e presidentit, do të bllokojnë vullnetin popullor”, u shpreh ai.

Në fjalimin e tij, Kurti renditi disa prej arritjeve që, sipas tij, janë realizuar gjatë mandatit qeverisës, përfshirë rritjen ekonomike, rritjen e pagës minimale dhe investimet në siguri.

“Sot ne kemi një ekonomi që prodhon vlerë. Nga 7 miliardë euro që ishte Bruto Produkti Vendor kur ne morëm detyrën, po e prekim 12 miliardëshin tani”, deklaroi Kurti.

Ai tha se paga minimale do të rritet në 500 euro nga 1 korriku.

“Kemi rritur pagën minimale nga 130, përkatësisht 170 euro, sa e patëm gjetur, në 425 euro sa është aktualisht dhe 500 euro siç do të bëhet prej 1 korrikut sivjet. Paga minimale 500 euro, e patatueshme”, tha ai.

Kurti foli edhe për zhvillimet në veri të Kosovës dhe çështjen e sigurisë, duke theksuar se sundimi i ligjit është shtrirë në të gjithë territorin.

“Në veriun e Republikës sonë, rendi dhe ligji nuk janë mysafirë të rrallë, por janë zot shtëpie”, deklaroi Kurti.

Ai akuzoi Serbinë për mbështetje të grupeve kriminale dhe përmendi sulmin në Banjskë.

“Është për të ardhur keq që fqinji ynë verior i mbron, i strehon dhe i financon këta terroristë, ndër të cilët spikat Millan Radoiçiq, kryekrimineli i sulmit terrorist në Banjskë”, tha Kurti.

Kurti u bëri thirrje aktivistëve të LVV-së për mobilizim në prag të zgjedhjeve.

“Më 7 qershor, ne nuk votojmë vetëm për partinë. Ne votojmë për të vendosur nëse duam të kthehemi prapa në errësirën e zhvatjes, apo të ecim përpara në dritën e zhvillimit”, deklaroi ai.

Të ngjashme