PDK i tha jo Limajt, Lushtaku: Thaçi s’do ta bënte llaf po të ishte në të mirën e Kosovës

Prishtinë | 12 Maj 2026 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mori kartonin e kuq nga kryesia e Partisë Demokratike që të përfshihet në listën për deputetë nga ky subjekt, në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se e mbështet qëndrimin e Kryesisë, pavarësisht se ishte pro rikthimit të Limajt në Partinë Demokratike të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo është konsumuar si temë, pasi dje u mor vendim në Kryesi. Unë e respektoj mendimin e shumicës, e respektoj demokracinë e brendshme, siç kërkoj që me pasë demokraci edhe jashtë institucioneve, dhe qëndrimet e partisë tanimë janë të qarta. Fatkeqësisht u mor një vendim i tillë. Megjithatë unë mendoj që vetëm të bashkuar kemi një alternativë më të madhe kundër Vetëvendosjes në këtë rast, dhe mendoj se ne do të kishim arritur më shumë mbështetje dhe besim ndaj PDK-së po të ishim bashkuar”, tha Lushtaku në Klan Kosova.tv.

Ndër të tjera, Lushtaku deklaroi se nëse ky bashkim do të ishte në të mirën e Kosovës, edhe ish-presidenti Hashim Thaçi nuk do t’i bënte dy llafe por do të mirëpriste një veprim të tillë.

“Hashim Thaçi është duke u gjykuar dhe besoj që shumë shpejt do t’i kthehet Kosovës, por besoj se po të ishte ai këtu nuk do të bënte dy llafe, po të ishte në të mirën e Kosovës e bashkimi e bën ndryshimin. Dhe besoj absolutisht që ai do të ishte pro, por për shkak që nuk kam biseduar drejtpërdrejt me të nuk mund të jap një qëndrim të tillë”, tha ai.

Të ngjashme