Më 30 prill 2026, në ambientet e Piramidës së Tiranës, u zhvillua “Lifestyle Conference 2026”, një konferencë shkencore që solli në fokus ndikimin e stilit të jetesës në shëndet dhe rëndësinë e reduktimit të risqeve përmes një qasjeje multidisiplinare.
E organizuar nga Revista Shkencore “Diagnozë”, nën drejtimin e gazetares së njohur të shëndetit Freskida Miloti, konferenca mblodhi profesionistë nga fusha të ndryshme si mjekësia, shëndeti publik, psikologjia, dermatologjia, toksikologjia dhe komunikimi publik, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim njohurish dhe diskutim profesional mbi sfidat aktuale të shëndetit.
“Kjo konferencë është një mundësi për të njohur sfidat, për të rrahur mendimet mes profesionistëve dhe për të kuptuar si duket e ardhmja sa i takon stilit të jetesës dhe risqeve që hasim çdo ditë”, u shpreh Dr. Nora Malaj, sociologe dhe pedagoge.
Prania e përfaqësuesve të institucioneve dhe strukturave kyçe të shëndetit në vend, si Dëfrim Goma, President i Urdhrit të Farmacistëve; Prof. Dr. Gentiana Qirjako, përfaqësuese e Rektoratit të UMT dhe drejtuese e Departamentit të Shëndetit Publik; dhe znj. Rexhina Bici, zv.drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, pasqyroi interesin dhe angazhimin institucional ndaj temave të trajtuara.
Programi i konferencës trajtoi një gamë të gjerë temash të lidhura drejtpërdrejt me stilin e jetesës dhe faktorët e riskut. Diskutimet nisën me çështjet e traumës dhe sfidat në menaxhimin e saj në Shqipëri, ku u theksua nevoja për standardizim klinik dhe për rritje të ndërgjegjësimit në nivel publik. Në vijim, fokusi u zhvendos te shëndeti mendor dhe roli i ndërhyrjeve dixhitale, duke sjellë në vëmendje zhvillimet më të fundit në këtë fushë dhe rëndësinë e aksesit në shërbime cilësore.
Një nga momentet kyçe të konferencës ishte diskutimi mbi psikologjinë e të rinjve, duhanpirjen dhe qasjet për reduktimin e dëmit. Ekspertë nga fusha të ndryshme ndanë perspektiva mbi sfidat aktuale dhe nevojën për qasje më gjithëpërfshirëse ndaj grupeve në risk.
Siç theksoi Prof. Asoc. Besmira Lahi, psikologe klinike, sjelljet e riskut tek adoleshentët, përfshirë duhanpirjen, nuk duhen parë si problem i izoluar, por si një shprehje e nevojave të tyre emocionale dhe e procesit të zhvillimit të identitetit. Sipas saj, këto sjellje shpesh maskojnë sfida më të thella psikologjike që kërkojnë vëmendje dhe qasje të integruar.
Në vijim të programit, u trajtua ndikimi i zgjedhjeve të përditshme në shëndet, përmes këndvështrimeve të ndryshme profesionale. U diskutua mbi efektet e duhanpirjes në shëndetin e lëkurës dhe lidhjen e tij me sëmundjet dermatologjike dhe kancerin e lëkurës, si dhe mbi ndikimin e substancave në cilësinë e jetës, duke adresuar edhe dimensionin psikosocial të varësive.
Diskutimet u zgjeruan më tej drejt qasjeve multidisiplinare në parandalim, ku specialistë nga fusha të ndryshme ndanë praktika dhe rekomandime konkrete për reduktimin e riskut në
përditshmëri.
“Inflamacioni është në themel të shumë sëmundjeve, dhe përtej faktorëve të njohur si duhanpirja apo mungesa e aktivitetit fizik, një rol të rëndësishëm luan edhe stresi, i cili mbetet i lartë në shoqërinë tonë”, u shpreh Dr. Daniela Teferiçi, kardiologe.
Pjesa përmbyllëse e konferencës iu kushtua rolit të medias dhe komunikimit publik në edukimin për shëndetin, duke evidentuar ndikimin e informacionit në formimin e sjelljeve dhe rëndësinë e luftës kundër dezinformimit. Në një realitet ku informacioni është i bollshëm dhe shpesh i pakontrolluar, u theksua nevoja për burime të besueshme dhe për një qasje të përgjegjshme ndaj komunikimit shëndetësor.
“Lifestyle Conference 2026” u mbyll me një mesazh të qartë mbi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe vendimmarrjes së informuar në përditshmëri. Përmes kombinimit të njohurive shkencore, përvojës profesionale dhe dialogut ndërdisiplinor, kjo platformë konfirmoi rolin e saj si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e një stili jetese më të shëndetshëm dhe reduktimin e risqeve në nivel individual dhe komunitar.

