Teknologjia dhe lidershipi publik, temë diskutimi në aktivitetin e Institutit Pedagogjik të Kosovës

Prishtinë | 12 Maj 2026 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Instituti Pedagogjik i Kosovës në kuadër të iniciativës “Freedom 250” dhe Programit Fulbright Specialist, të mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, organizoi një aktivitet profesional kushtuar rolit të institucioneve publike në kohën e transformimeve të shpejta teknologjike, raporton Ekonomia Online.

Ngjarja me temën “Udhëheqja e institucioneve publike në kohën e ndryshimeve të shpejta teknologjike: një perspektivë amerikane” mblodhi përfaqësues institucionalë, profesionistë të arsimit dhe bashkëpunëtorë të fushës akademike për të diskutuar mbi lidershipin publik, zhvillimin profesional dhe ndikimin e teknologjisë në arsim dhe shërbime publike.

E ftuar në këtë aktivitet ishte ekspertja Fulbright, profesoresha Gina Whalen nga Penn State University – USA, e cila ndau përvojat dhe perspektivat amerikane mbi rëndësinë e institucioneve publike, arsimit dhe ndërtimit të besimit qytetar në kohë ndryshimesh globale.

“Institucionet publike do të kenë nevojë për parime të qarta për përdorimin e teknologjisë në mënyra që mbështesin mësimdhënësit dhe forcojnë zhvillimin profesional, në mënyrë që fokusi të mbetet tek nxënësit. Kjo është arsyeja pse arsimi është kaq i lidhur ngushtë me jetën qytetare. Shkollat dhe institucionet publike bëjnë më shumë sesa thjesht t’i përgjigjen ndryshimeve; ato ndihmojnë në përgatitjen e çdo brezi për të ardhmen. Ky ideal duket veçanërisht domethënës këtë vit, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten të shënojnë 250-vjetorin e pavarësisë. Për amerikanët, kjo është një kohë për të reflektuar mbi pavarësinë dhe atë që vjen pas saj. Punën e vazhdueshme për ndërtimin e besimit, edukimin e qytetarëve, forcimin e institucioneve publike dhe përgatitjen e çdo brezi për të marrë pjesë në jetën qytetare. Të qenit këtu në Kosovë i jep këtij reflektimi një kuptim të veçantë. Me 18 vite pavarësi, Kosova ofron një perspektivë të rëndësishme mbi institucionet publike, arsimin dhe të ardhmen. Ky përkushtim për forcimin e institucioneve është i dukshëm këtu në shkolla dhe në shërbimet publike, në universitete, në hapësira kulturore dhe në punën e përditshme të njerëzve që u shërbejnë komuniteteve të tyre. Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë histori dhe periudha kohore të ndryshme. Megjithatë, të dyja na kujtojnë se pavarësia sjell përgjegjësi. Ajo u bën thirrje njerëzve të kujdesen për institucionet, të edukojnë me qëllim dhe ta shikojnë të ardhmen me mençuri. Kjo është arsyeja pse puna e KPI-së (Instituti Pedagogjik i Kosovës) është kaq e rëndësishme. Mbështetja e mësimdhënësve, forcimi i zhvillimit profesional dhe lidhja e kërkimit me praktikën janë të gjitha pjesë e kësaj pune më të madhe për ndërtimin e besimit publik në arsim“, tha ajo.

Drejtori i Institutit Pedagogjik të Kosovës, Murteza Osdautaj, i uroi mirëseardhje profesoreshës Whalen dhe vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e arsimit dhe zhvillimit profesional.

“Shpresoj se gjatë këtij muaji kolegët të cilët kanë bashkëpunuar me zonjën Ghina, por edhe zonja Ghina, kanë mësuar shumë nga njëri-tjetri, kanë shkëmbyer përvojat e institucioneve nga Kosova me përvojat e institucioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për fund dua ta falënderoj Ambasadën Amerikane e cila e ka mundësuar ardhjen e zonjës Ghina në Kosovë. Dua ta falënderoj qendrën komunale e cila po e bën dokumentimin e bashkëpunimit dhe të historisë vetë e të vazhdueshme të Kosovës dhe dua të falënderoj të gjithë kolegët nga Instituti Pedagogjik të cilët kanë bashkëpunuar gjatë këtij muaji me zonjën Ghina dhe shpresoj se kanë përfituar përvojë të re. E përfund zonja Ghina, ju uroj shëndet, ju uroj suksese të reja në jetë. Shpresoj të mos na harrosh, shpresoj që edhe në mungesën tënde të jemi ambasadorë të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju falënderoj të gjithëve“, tha ai.

Të ngjashme