Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar lidhur me mbledhjen e dytë të Bordit të Radio Televizioni i Kosovës, e cila mbahet sot nga ora 16:30, duke kritikuar mënyrën se si është bërë publik njoftimi për këtë mbledhje.
Sipas saj, njoftimi është publikuar vetëm një ditë më parë në uebfaqen e RTK-së, “sa me thanë ‘ju njoftuam’, jo për transparencë të mirëfilltë”.
Kusari theksoi se në këtë mbledhje pritet të caktohet ushtruesi i detyrës së drejtorit të televizionit dhe radios, pozita që aktualisht mbahen nga Rilind Gërvalla dhe Arsim Halili.
Ajo komentoi edhe diskutimin për buxhetin e RTK-së, duke pretenduar se institucioni nuk do të ketë mundësi të sigurojë më shumë se 8.9 milionë euro, shumë që sipas saj mjafton vetëm për pagesën e pagave dhe jo për zhvillim apo pavarësi editoriale.
“Just wait and see what I mean”, shkroi Kusari, duke paralajmëruar se bordi mund të përballet me presione politike për largimin e punëtorëve.
Në reagimin e saj, ajo përmendi edhe zhvillimet e fundit në mbledhjet e gazetarëve të RTK-së, duke pretenduar se ndaj gazetarëve po ushtrohet presion nga “veglat e VV-së”, me qëllim disiplinimin e tyre para fushatës zgjedhore.
Kusari shtoi se nuk do të mund ta monitorojë personalisht mbledhjen për shkak të angazhimeve të punës, por tha se monitorues të tjerë do të jenë të pranishëm.