Ramush Haradinaj: Masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan mbeten plagë të rënda të Kosovës

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar sot viktimat e masakrave në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan, duke i cilësuar ato si ndër plagët më të rënda që ka përjetuar populli shqiptar gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi, Haradinaj tha se 102 shqiptarë të paarmatosur u ekzekutuan nga njësitet ushtarake dhe policore serbe, si hakmarrje për humbjet që po pësonin në frontet e luftës.

“Masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan mbeten ndër plagët më të rënda që ka përjetuar populli ynë. 102 shqiptarë të paarmatosur u ekzekutuan pa mëshirë nga njësitet ushtarake e policore të shtetit serb, si hakmarrje ndaj humbjeve që po pësonin në frontet e luftës”, ka shkruar Haradinaj.

Ai bëri të ditur se në këtë përvjetor janë nderuar edhe eprorët dhe luftëtarët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga zona e Dukagjinit, të rënë në beteja të ndryshme për liri.

Sipas tij, u përkujtuan Skender Çeku nga Qyshku, Jahë Kabashi, Blerim dhe Bekim Kelmendi, si dhe Rifat Veseli nga Llabjani.

“Këto masakra janë dëshmi e rrugës së rëndë që kaloi Kosova deri te liria, por edhe e sakrificës së madhe të njerëzve tanë që nuk u përkulën kurrë përballë armikut”, ka deklaruar Haradinaj.

Të ngjashme