Minatorët e “Trepçës” rrëfejnë momentet pas bllokimit në minierë, kërkojnë më shumë siguri

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

18 minatorët që kishin mbetur të ngujuar në minierën e “Trepçës” kanë dalë tashmë nga miniera, pasi ishin bllokuar si pasojë e problemeve me energjinë elektrike, raporton Ekonomia Online.

Minatorët që dolën nga miniera thanë se gjendja nuk kishte qenë e rrezikshme, ndonëse pranuan se kishin pasur nevojë për kujdes dhe se situata kishte shkaktuar panik deri në daljen e tyre.

Bajram Rrahmani, minator i cili kishte mbetur i ngujuar, tha se dy persona kishin pasur nevojë për ndihmë, por sipas tij nuk kishte pasur rrezik të madh.

“Po ata dy kanë pas nevojë, po nuk ka qenë rrezik i madh, sene që ndodh, jo për ne, jo, punojmë këtë punë me vullnet. Ka ndodhur disa herë, po nuk është punë tragjike, por derisa dalim normal që bëhet panik”, tha Bajram Rrhamni, minator i cili kishte mbetur i ngujuar.

Edhe një minator i moshuar, i cili doli nga miniera, tha shkurt se e ka gjendjen e mirë shëndetësore.

Ndërkaq, Agron Hyseni, minator, tha se pas daljes së kolegëve të ngujuar, ata po prisnin të hynin në ndërrimin tjetër në minierë, por kërkoi më shumë siguri gjatë punës.

“Na po presim me shku tash te poshtë. Kur ata dolën me dalë, na me hy te poshtë. Ama na pak jemi, kemi një farë sigurie me pasë pak, me qenë dikush kur t’i lëshojmë na pompat, a e din mos ka farë pasoje a diçka. Që gjithë ky defekt që u bë, gjithë kjo rrymë që u ndal, dikush me qenë prezent nga të atyre, nëse diçka me u ndal, me qenë dikush që na, na veç me startu dina, na me mbajt nivelin, na më shumë s’dina me rrymë me punu. Pos, këta po thonë shkoni, na duhet me shku. Çka të bëhet në dorë të Zotit, s’kemi çka bëjmë”, tha ai.

Disa orë më parë, ndërmarrja “Trepça” kishte reaguar lidhur me bllokimin e rreth 50 minatorëve në minierë.

Sipas njoftimit zyrtar, fillimisht 29 punëtorë kishin dalë nga miniera, ndërsa 18 kishin mbetur ende të ngujuar.

Tutje, ishte theksuar se ngjarja kishte ndodhur për shkak të një ndërprerjeje të furnizimit me energji elektrike në Njësinë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stantërg.

“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, thuhej në njoftim.

Të ngjashme