Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar tryezën e diskutimit me temë “Agjenda e Reformave të Kosovës: Çfarë më pas?”, raporton Ekonomia Online.
Diskutimi u fokusua në hapat e ardhshëm institucionalë, nevojën për koordinim ndërinstitucional dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile në procesin e reformave dhe integrimit evropian.
Drejtoresha Ekzekutive e GLPS, Njomza Arifi dha një kronologji të ngjarjeve nga inicimi i Planit të Rritjes si ide deri në përpilim të Agjendës së Reformave si dhe ratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend.
Sipas saj, Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka përgatitur agjendën e reformave, por nga tetori i vitit 2024 ka filluar stagnimi i planit të rritjes.
“Ky plan u prezantua për herë të parë nga presidentja e komisionit evropian, Von der Leyen në nëntor të vitit 2023, qëllimi ishte të ndaheshin diku 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të dyfishimit të ekonomive të këtyre shteteve deri në vitin 2030. Kosovës i janë alokuar 883 milionë euro, një pjesë e tyre e ofruar si grante kurse pjesa tjetër, në formë kredish. Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka përgatitur agjendën e reformave në korrik të vitit 2024 është dorëzuar në komision evropian dhe pastaj e njëjta është miratuar në tetor të po atij viti nga komisioni, mirëpo pas kësaj date ka filluar stagnimi i planit të rritjes, duke qenë se dy marrëveshjet kryesore, marrëveshja e huas dhe facilitetit nuk kanë arritur të ratifikohen deri në shkurt të këtij vitit përkatësisht më 13 shkurt 2026, kjo si pasojë e mungesës së një Kuvendi funksional në Kosovë”, tha ajo.
Arifi gjithashtu shtoi se janë 13 hapa gjithsej reformues dhe se katër prej tyre kërkojnë Kuvend funksional.
“Në këtë pikë jemi në përmbyllje të semestrit të katërt nga shtatë sa janë gjithsej dhe ende nuk kemi një raport zyrtar mbi shkallën e zbatimit, mirëpo ajo që dihet është se kriza politike e vazhdueshme që nga shkurti i vitit 2025 ka dëmtuar rëndë dhe ka penalizuar implementimin e reformave të përcaktuara me këtë plan. Një problem me theks të veçantë janë masat reformuese të qershorit 2025 të cilave iu përfundon grejs-periudha në qershor të këtij viti më 30 qershor është afati përfundimtar, në total janë gjithsej 13 hapa reformuese dhe në mesin e tyre kemi katër hapa reformues të cilët kërkojnë një Kuvend funksional, sepse janë procese legjislative, kurse një pjesë tjetër e këtyre kërkojnë një Qeveri me kompetenca të plota për miratim nga ekzekutivi. Kemi 47 ditë pak a shumë deri në përfundim të këtij afati dhe përmbushja e këtyre 13 masave tashmë duket diçka që nuk do të arrihet. Komisioni ka paralajmëruar humbjen e rreth 68.8 milionë eurove në rast të moszbatimit të këtyre masave, por mbetet të shihet dhe të dëgjojmë edhe nga diskutimi sot. Ajo që mund të themi është që ne si GLPS konsiderojmë se plani i rritjes nuk duhet të shihet vetëm nga prizmi financiar por duhet të shihet edhe si incentivë për të quar përpara proceset reformuese të cilat përafrojnë Kosovën me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Arifi.
Hulumtuesi i GLPS-së, Besar Gërgi tha se marrëveshjet, ndonëse u miratuan përfundimisht më 13 shkurt të këtij viti me 104 vota, u vonuan më shumë se një vit që nga miratimi i agjendës në tetor 2024.
“Nëse e shohim në përgjithësi planin e rritjes dhe zbatimin e agjendës së reformave për këtë periudhë, shprehja më adekuate që e kemi gjetë ka qenë raste të humbura, ose mundësi të humbura, për arsye se siç e përmendi edhe Njomza dy marrëveshjet nuk u ratifikuan në këtë përiudhë u ratifikuan në shkurt të këtij viti fatmirësisht, por se u vonuam shumë më ratifikim duke qenë se agjenda e reformave të Kosovës u miratua në tetor të 2024-es, për herë të parë u hodh në votim në 4 dhjetor të po atij viti, pra kemi mbi një vjet të humbur për arsye të problemeve politikë që veçse diskutuam, si pasojë e kësaj, parapagesa prej 7% ose 61.8 milionë euro nuk u ekzekutuan dot më kohë, u ekzekutuan tash së fundmi para tre javësh, por se me një vonesë të theksuar, për tre semestra duke qenë se këto marrëveshje nuk kanë qenë të ratifikuara, ligjërisht pra kemi qenë në një situatë nuk mund të bëhej zbatimi i mirëfilltë i kësaj marrëveshjeje, pra Qeveria ka mundur të marrë veprime për t’i përmbushur hapat që përfshihen aty por pa ratifikim, është njësoj si të kemi një kontratë dhe të mos e nënshkruajmë atë, pra nuk ka fuqi ligjore, më në fund këto dy marrëveshje u ratifikuan me 104 vota, më 13 shkurt të këtij viti dhe le të themi vetëm u hap dera për zbatim”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se themelimi i një task-force speciale duhet të ndodhë pasi sipas tij Kosova është mbrapa me semestrat.
“Ndërsa tani përpara e kemi maratonën e gjatë të zbatimit, disa nga rekomandimet kryesore që i kemi në këtë raport, është themelimi urgjent i trupave të zbatimit veçse e përmendi Njomza se koordinatori kombëtar është emëruar por kjo nuk është e mjaftueshme por duhet të ketë një komitet të monitorimit, duhet të sigurohet një shërbim auditimit dhe tjerat pra disa nga trupat që parashihen në marrëveshje duhet të themelohen, ne i kemi rekomanduar që të shkojmë një hap tutje nga kjo dhe të rekomandojmë krijimin e një task-force speciale duke qenë se vetëm jemi prapa tre semestra, tani jemi në semestrin e katërt nga shtatë sosh dhe shumë nga hapat mbeten të pazbatuara, siç u përmend ekziston një paralajmërim nga komisioni, që në qoftë se nuk përmbushen masat e qershorit rrezikojmë të humbim rreth 68.8 milionë euro, prandaj një task-force speciale të përbërë nga pjesëtarë të ministrive dhe institucioneve të linjës që janë të specializuar, pra që kanë të bëjnë me agjendën e reformave ne besojmë që do ta përshpejtonte punën e zbatimit, po ashtu meqë e përmendem edhe afatin duhet të ketë prioritizim të qartë të reformave të 2025, pasi afati grejs-periudha e tyre përfundon më 30 qershor të këtij viti, kjo do të thotë se janë 47 ditë deri në përfundim të semestrit, pas secilës përfundimisht humben këto fonde”, tha Gërgi.
Jeton Zulfaj, kryenegociator i Kosovës me Bashkimin Evropian ka deklaruar se procesi i integrimit në Bashkimi Evropian duhet të shihet si një proces i gjithë shoqërisë dhe jo vetëm i Qeverisë, duke theksuar rëndësinë e monitorimit të reformave nga shoqëria civile.
“Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian ka qenë çdo herë për afër i vëzhguar nga shoqëria civile dhe unë e mirëpres monitorimin e agjendës së reformave, e mora vesh që ky është takimi i tretë i këtij mekanizmi, ndërkohë që ne sot do ta kemi takimin e parë pas aprovimit të vendimeve dhe kornizës ligjore për planin e rritjes të këshillit ministror për integrime evropiane, domethënë ju po ecni më shpejtë, si rezultat i mosbllokadës domethënë ne jemi vonuar pikërisht për shkak të bllokimeve që i kemi pasur në proces, e për të cilat po besoj do të kemi kohë t’i bisedojmë. Unë siç thashë jam i kënaqur për interesimin për të diskutuar zbatimin e reformave, kompleksiteti dhe shumësia e formave në kuadër të planit të rritjes medoemos kërkon partnerë të fortë të cilët përpos që bëjnë monitorimin e zbatimit të reformave na mundëojnë që të komunikojmë më mirë e më qartë me qytetarët e grupet e ndryshme të interesit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe obligimet e marra krahas këtij rrugëtimi janë në vetvete elemente që transformojnë shoqërinë dhe duhet të shihen nga të gjithë si të tillë. Procesi i integrimit në BE është proces i gjithë shoqërisë nuk është vetëm i Qeverisë por i të gjithë akterëve të shoqërisë edhe në planin e reformave, një në katër reforma në fakt janë për institucionet e pavarura, ndërkohë që një pjesë e mirë e hapave të planit të rritjes varen nga miratimi i ligjeve në Kuvend”, tha ai.
Sipas Zulfajt, Kosova ishte ndër vendet e para që përmbylli negociatat me BE-në për reformat në kuadër të Planit të Rritjes dhe dorëzoi e para Agjendën e Reformave. Megjithatë, ai tha se bllokadat institucionale dhe mosfunksionalizimi i Kuvendit kanë shkaktuar vonesa në proces.
“Siç e dini ne kemi qenë ndër vendet e para që e kemi përmbyllur negociatat me BE-në për reformat për planin e rritjes dhe patëm arritur që ta dorëzojmë të parët agjendën e reformave dhe nëse Kuvendi do të ishte funksional do të ishim sigurisht të parët që do të prinim edhe në përmbushjen e hapave, por pas vonesave që ishin vitin e kaluar me 13 shkurt të këtij viti kemi ratifiku dy marrëveshjet me BE-në, marrëveshjen për instrumentin dhe marrëveshjen për huan dhe së bashku edhe me caktimin e koordinatorit kombëtar për instrumentin e rritjes është kompletu korniza ligjore me ç’rast edhe kemi pranuar parafinancimin në prill në vlerë prej 61.8 milionë euro”, tha Zulfaj.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova theksoi se mbikëqyrja e punës së Qeverisë dhe transparenca është thelbësore.
“Është thelbësore të monitorohet, të mbikëqyret puna e qeverisë, të promovohet transparenca dhe të ndihmohet që reformat, për të cilat qeveritë në gjithë rajonin janë zotuar, të përkthehen në ndryshime reale për njerëzit. Dua gjithashtu të theksoj faktin se Kosova është pjesë e pandashme e kornizës së përgjithshme që Bashkimi Evropian ia ka vënë në dispozicion rajonit për të përshpejtuar reformat dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kosova është në pozitë të barabartë aty dhe po ashtu ka mundësi të barabarta për të avancuar rrugën e integrimit dhe për të përdorur të gjitha mjetet financiare, njësoj si pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo është thelbësore dhe, në fakt, fillimisht Kosova e ka shfrytëzuar këtë shumë mirë dhe ishte ndër vendet prijëse. Tani jemi aty ku jemi: ju e përmendët këtë dhe do të rikthehem edhe unë te kjo çështje”, tha ajo.
Palatova gjithashtu tha se muajve të fundit janë bërë dy zhvillime kyçe në Agjendën e Reformave dhe Instrumentit për reforma dhe rritje.
“Ajo që kemi parë gjatë muajve të fundit janë dy zhvillime kyçe në kontekstin e Agjendës së Reformave dhe Instrumentit për Reforma dhe Rritje. I pari është ratifikimi i marrëveshjeve të huasë së instrumentit në shkurt nga parlamenti i ri, gjë që na lejoi realisht të hynim në një fazë formale, sepse deri atëherë ne vetëm në mënyrë joformale monitoronim dhe analizonim të gjithë mekanizmin që kemi në zyrën e BE-së në mbështetje të agjendës së reformave dhe reformave të përgjithshme të Kosovës. Pra, deri atëherë po vëzhgonim joformalisht se çfarë po ndodhte dhe si po zhvillohej situata, por tani falë ratifikimit mund të kalojmë drejt fazës formale… (5:10) Mbi 28 milionë euro janë disbursuar drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës edhe 33 milionë euro të tjera janë gati për projekte përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor”,tha Palatova.
