Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas mbledhjes së Qeverisë, në konferencë për media ka folur për planin e rritjes dhe çështje që ndërlidhen me sektorin e energjisë, raporton Ekonomia Online
Ajo tha se Kosova rrezikon të humbasë miliona euro si pasojë e mosmiratimit të ligjeve për energjinë.
“Sa i përket ndihmave të sektorit të energjisë dhe obligimeve të tjera që ndërlidhen me Ministrinë e Ekonomisë, unë mund të them shifrën e saktë: është rreth 9.4 milionë që rrezikojmë t’i humbim si rrjedhojë e mosmiratimit të dy ligjeve për energjinë që i kishim në Kuvend Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjin për Energjinë. Kishte mundësi që këto ligje të miratoheshin. Ato ishin në Kuvend, i pari madje u miratua në lexim të parë, mirëpo kishte një organizim të jashtëzakonshëm të opozitës ditën e fundit, duke përfshirë këtu edhe Listën Serbe, që të votojnë kundër mocioneve për përshpejtim të procedurave.
Rizvanolli tha se votimi kundër mocioneve në Kuvend ishte vendim me inate politike dhe se dëmi që u shkaktohet qytetarëve është i madh.
“Ky ishte një vendim puro politik, i inatit politik. Nuk kishte të bëjë me përmbajtjen e ligjeve, mirëpo duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për dëmin që do t’i shkaktohet qytetarëve të Republikës së Kosovës, për vendin tonë, blloku opozitar vendosi që të bllokojë mocionet procedurale, megjithëse ne kishim votat për t’i kaluar ligjet si të tilla. Dhe t’ju them të drejtën, nuk ka pasur asnjë arsye përmbajtësore, pavarësisht çfarë është thënë në Kuvend atë ditë. Ju e keni parë se deputetët kanë qenë madje të opozitës aq të papërgatitur, sa që as për ligjin e duhur nuk flisnin, citonin krejtësisht ligjin e gabuar duke thënë gjëra të cilat thjesht nuk janë të sakta pastaj. Dhe mua më vjen shumë keq që rrezikojmë – përveç nëse arrijmë në ndonjë mënyrë të negociojmë shtyrjen e afateve për shkak të gjendjes – ne do të humbim, vetëm sa i përket obligimeve të Ministrisë së Ekonomisë, 9.4 milionë euro të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për çështje… për arsye se opozita vendosi ta vendosë inatin politik mbi interesin e qytetarëve të Republikës”, tha ajo.
