Ish-ambasadori Arifi: Dialogu Kosovë-Serbi në “vdekje klinike”

Prishtinë | 16 Maj 2026 | 09:00 | Nga Drita Dërmaku

Ish-ambasadori i Republikës së Kosovës, Avni Arifi, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ndodhet në “vdekje klinike” që nga shtatori i vitit 2024, duke thënë se mungesa e institucioneve legjitime në Kosovë e ka pamundësuar vazhdimin e procesit, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Arifi tha se faktori ndërkombëtar nuk ka ushtruar presion ndaj Kosovës për dialogun pikërisht për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.

“Dialogu është në vdekje klinike që nga shtatori i vitit 2024 kur ka fillu në një mënyrë apo tjetër fushata për, apo përgatitjet për zgjedhjet e atëhershme. Që nga atëherë Kosova nuk ka institucione legjitime për me, për me pas negociata për një proces të tillë. Dhe kjo është arsyeja pse edhe faktori ndërkombëtar nuk është marrë shumë me temën e dialogut edhe nuk ka bërë presion tek pala kosovare për çështjen e dialogut”, tha ai.

Ai tha se nga perspektiva ndërkombëtare, procesi i dialogut mund të zhvillohet vetëm me institucione legjitime dhe funksionale.

“Sepse për me pas dialog duhet me pas institucione legjitime nga perspektiva e tyre. Ne nuk kemi pas institucione legjitime, kemi pas fitues zgjedhjesh, kemi pas për një kohë shumë të shkurtë kemi pas kryeministrin që i fitoi zgjedhjet, deri në, deri te përfundimi i mandatit të Vjosa Osmanit. Po nga perspektiva demokratike, dialog për procese të tilla mundet me pas vetëm me institucionet legjitime. Ne nuk kemi institucione legjitime, në kuptim të asaj që me pas institucione funksionale, qeveri, parlament, president të zgjedhur”, tha ai.

Sipas Arifit, ka ekzistuar gatishmëri për një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, por zgjedhjet e parakohshme e kanë pamundësuar zhvillimin e tij.

“Po këtë e tha zonja Kallas, që në këtë kohë kur krijohet qeveria domethënë, qeveria Kurti tashti në, e shkurtë apo, qëllimi ishte që të aranzhohej një takim mes Vuçiqit dhe Kurtit, që të dy palët kanë pranu, edhe Vuçiqi edhe Kurti, dhe ka qenë çështje e datës. Mirëpo shkuarja tash në zgjedhje të jashtëzakonshme, e bën të pamundur një takim të tillë, sepse pavarësisht rezultateve zgjedhore megjithatë jemi në një proces zgjedhor dhe është e pamundur që të ketë proces të dialogut. Që dy vjet nuk ka proces të dialogut. Shumëkush, po besoj shumëkush edhe nga ana e Kurtit mendon se po bëhet mirë, sepse po shtyhen obligimet, se Kosova ndoshta po iu ikë obligimeve që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare. Por është një logjikë tërësisht e gabuar. Nuk mundesh me i ikë marrëveshjeve ndërkombëtare çka ka nënshkruar Kosova. Dhe kur po them Kosova mendoj presidentët që kanë qenë, kryeministrat që kanë qenë, duke përfshirë kryeministrin aktual. Çdo marrëveshje ndërkombëtare nuk mundet me i ikë kurrkush. Këta po mendohen dhe po e shesin opinionin që mundin me i ikë, të shohim se çka do të bëjnë, mirëpo vonesat në implementim nuk e lehtësojnë, vetëm e rëndojnë pozicionin e Kosovës në këto marrëveshje”, tha ai.

Ai paralajmëroi se pas formimit të institucioneve të reja, do të ketë presion të shtuar ndërkombëtar për vazhdimin e dialogut dhe implementimin e obligimeve të Kosovës.

“E ke të garantuar. Kushdo që të jetë kryeministër, në dy javët e para do të vjen prapë Sorenseni këtu me Kallas dhe do të aranzhojnë takim, qoftë me Vuçiqin, qoftë jo domosdoshmërisht me Vuçiqin, po do të ketë presion të jashtëzakonshëm për implementimin e obligimeve të Kosovës që i ka në proces të dialogut. Kjo është e ditur, të gjitha e dinë”, tha ai.

Arifi tha se Kosova duhet të jetë më aktive dhe kërkuese në procesin e dialogut, duke insistuar në trajtimin e çështjeve që lidhen me sulmin në Banjskë dhe aktet tjera terroriste.

“Po Kosova duhet të jetë e përgatitur. Natyrisht, kjo logjika që mos me ikë, me e këqyrë qysh me iu ikë obligimeve tua nuk do t’i shërbejë Kosovës. Kosova duhet të jetë kërkuese. Duhet të jetë insistuese. Janë përmend është pyetja e kriminalitetit të Banjskës. Terroristat duhet të dalin para drejtësisë. Pastaj edhe ato të Ibrit, duhet të ketë një proces gjyqësor për krejt njerëzit që kanë marrë pjesë në akte terroriste. Kosova ka një agjendë të kërkesave që janë të domosdoshme dhe që Serbia është pengesë e tyre. Është çështja e lobimit të Serbisë, është çështja e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Janë një sërë çështjesh që Kosova jo veç të mbrohet në kërkesat që vijnë që për neve na kanë bërë në një situatë shumë të vështirë, por, pa marrë parasysh se çka është situata, Kosova duhet të jetë gjithmonë e gatshme që në proces të dialogut të jetë e përgatitur”, tha ai.

Të ngjashme