9 vjetori i vdekjes, Abdixhiku kujton dhe nderon jetën dhe veprën e ish-deputetit Agim Kikaj

Prishtinë | 18 Maj 2026 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar dhe nderuar jetën e veprën e ish-deputetit, veprimtarit Agim Kikaj, në 9 vjetorin e vdekjes.

Përmes, një postimi në faqen zyrtare të LDK-së, në Facebook,  Abdixhiku ka thënë se Kikaj është angazhuar herët në veprimtarinë atdhetare e politike.

“Sot, përkujtojmë dhe nderojmë Agim Kikajn, jeta dhe vepra e të cilit ishte e mbushur me plotë sfida dhe sakrifica në rrugën e mundimshme për liri dhe pavarësi. Ai ishte angazhuar herët në veprimtarinë atdhetare e politike; në orët e rënda për vendin iu bashkua vargut të veprimtarëve të mëdhenj të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Figura e tij patriotike, politike dhe mbi të gjitha njerëzore është unikate.

Për gjatë jetës së tij shërbeu si kryetar komune në Podujevë, deputet për disa mandate, derisa vdekja e papritur na goditi të gjithëve pasmesnatën e datës 18 maj 2017.

Ndarja e Agim Kikajt ishte humbje e madhe për Kosovën dhe proceset demokratike të vendit tonë. Kosova humbi një njeri të mirë, një figurë të jashtëzakonshme që i shërbente ndërtimit të institucioneve demokratike tonat dhe kishte për synim fuqizimin e tyre.

Ai gjithmonë do kujtohet me çiltërsinë, modestinë dhe afërsinë me njerëzit që e rrethonin; të gjithë e kujtojmë me nostalgji për batutat dhe humorin e tij.

Lavdi jetës dhe veprës së Agim Kikaj!”, ka thënë Abdixhiku.

Të ngjashme