OVL UÇK: Nesër prej 12:00 protestë gjithëpopullore në Prishtinë

Prishtinë | 17 Sht 2026 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore nesër në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë tentuar ta vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me atë që ka ndodhur gjatë viteve 1998-1999.

“Dje dhe sot u ul lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të pa-drejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje”, deklaroi Syla.

Ai bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme që do të përfshinte edhe shqiptarët jashtë Kosovës.

“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë. Po ashtu do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit, ku kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona, partive parlamentare, shoqërisë civile, institucioneve të tjera të cilat do të mund të kontribuonin në këtë drejtim”, tha ai.

Syla njoftoi gjithashtu se organizatat e dala nga lufta kanë marrë vendim për të organizuar një protestë gjithëpopullore.

“Po ashtu t’ju bëjmë me dije se organizatat e dala nga lufta sot në takimin që mbajtëm pak më herët me këshillin drejtues morëm vendim që të thërrasim protestë gjithëpopullore nesër në ora 12:00 në sheshin Skënderbeu. Po ashtu në ora 16:30 sot, OVL e UÇK-së së bashku me disa shoqata të tjera të familjeve të dëshmorëve dhe shoqatën e invalidëve do të bëjmë prezentimin e kësaj platforme që e fola më herët, ku ju ftojmë që të jeni prezentë edhe ju, pra do t’i bashkangjitemi protestës dhe thirrjes nga studentët që janë sot, do të jemi edhe ne bashkë me ta në ora 16:30”, tha Syla.

Ai u shpreh se, sipas tij, vendimi i fundit nuk është i vetmi rast që ka prekur ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Ju e dini, nuk është vendimi i padrejtë vetëm ky i djeshmi, bashkëluftëtarët tanë, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bukur gjatë kohës nën goditjet me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi Syla.

Syla shtoi se protesta do të jetë paqësore dhe pa maska.

“Po ashtu, të ju bëjmë me dije se protesta që organizohet nesër është protestë paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona që i kemi. Kemi çka me kallëzu boll. Fytyrat i kemi të ndershme, s’kemi nevojë fare me vendos maska në protestë”, tha Syla.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka thënë se ai prek jo vetëm ish-krerët e UÇK-së, por edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetësinë e Kosovës.

“Një vendim që, përveç që ishte i turpshëm për drejtësinë ndërkombëtare dhe botërore, e cila nxori një vendim në bazë të pretendimeve, jo vetëm që goditi figurat, por goditi luftën e UÇK-së, goditi rëndë edhe vetë shtetësinë e Kosovës.Organizatat e dala nga lufta qëndrojnë fort në vendimet dhe qëndrimet e tyre, që nga fillimi, kur e kemi kundërshtuar një gjykatë të tillë. Por, për të mos i përsëritur gjërat, unë, si udhëheqës i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, do t’u bëja thirrje edhe familjeve që të reagojnë”, tha Jashari.

Fadil Shurdhaj, kryetari i Shoqatës së Invalidëve, i ftoi të gjithë veteranët në protestën e nesërme.

“Unë ju kisha bërë ftesë të gjithë veteranëve të luftës, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe gjithë popullit shqiptar, atyre që e ndiejnë veten shqiptarë, që nesër, në orën 12:00, të jenë me ne, së bashku në shesh, dhe ta kundërshtojmë këtë vendim dhe këtë gjykatë të turpshme, që me të vërtetë e tregoi fytyrën e vet. Prej fillimit e ka treguar, por dje me të vërtetë tregoi që kjo gjykatë ka qenë vetëm në shërbim të Serbisë dhe të Rusisë dhe disa elementeve destruktive”, tha ai.

Të ngjashme