Merkel kritikon BE-në: Duhet të kishte më shumë dialog me Rusinë, gabim që vetëm SHBA mban kontakte me Putinin

Prishtinë | 18 Maj 2026 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka kritikuar Bashkimin Europian për mungesën e përpjekjeve diplomatike me Rusinë, në lidhje me luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për transmetuesin gjerman WDR, Merkel tha se mbështetja ushtarake për Ukrainën është e drejtë, por shtoi se Evropa nuk po shfrytëzon mjaftueshëm fuqinë e saj diplomatike.

“Është gabim që vetëm SHBA të mbajë kontakte me Rusinë. Evropa duhet të përdorë më shumë ndikimin e saj diplomatik”, u shpreh ajo.

Merkel theksoi se kishte propozuar krijimin e një kornize dialogu mes BE-së dhe Rusisë në vitin 2021, por ideja nuk u realizua për shkak të mosdakordësive brenda vendeve anëtare.

Ajo shtoi se diplomacia duhet të mbetet pjesë e zgjidhjes së konflikteve, duke kujtuar edhe përvojën e saj në negociatat me Rusinë dhe Ukrainën gjatë viteve të mëparshme.

Ish-kancelarja gjermane drejtoi Gjermaninë nga viti 2005 deri në 2021 dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e BE-së me Moskën para luftës në Ukrainë. /Panorama

Të ngjashme