Aktakuzë ndaj tre personave në Ferizaj për mashtrim me kriptovaluta

Prishtinë | 22 Maj 2026 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet: A.L., R.J. dhe V.N., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ”Mashtrimi”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se më 17 prill 2026 në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, kanë paraqitur fakte të rreme duke u prezantuar si posedues të kriptovalutës USDT dhe duke premtuar transfer përmes “wallet”-it digjital. Në këtë mënyrë, ata dyshohet se kanë vënë në lajthim tre të dëmtuar dhe kanë përfituar 12,000 euro.

Prokuroria thekson se të dyshuarit kanë organizuar skemën duke marrë me qira një lokal, ku fillimisht janë takuar me viktimat dhe më pas kanë arritur t’i marrin paratë, të cilat sipas planit i kanë fshehur brenda një çante.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, të njëjtit dyshohet se kanë përdorur skemë të ngjashme edhe në një rast tjetër në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik, ku kishin tentuar një transaksion fiktiv të kriptovalutave në vlerë prej 50,000 eurosh.

Në një rast tjetër, të pandehurit A.L. dhe R.J. dyshohet se më 18 gusht 2024 në Ferizaj, përmes komunikimeve në rrjete sociale dhe takim fizik, kanë mashtruar një tjetër viktimë duke i marrë 2,000 euro, para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Të ngjashme