Veteranja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shqipe Krasniqi, ka folur në natën e gjashtë të protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qytetarë po protestojnë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
Në fjalimin e saj, Krasniqi është ndalur te historia e dënimeve të shqiptarëve nga gjykatat serbe, duke e lidhur atë periudhë me zhvillimet e sotme në Hagë.
“Sonte i mbetem borxh, nëse nuk i kthehemi për pak vite historisë të Kosovës. Me 11 korrik të vitit 1997, dënimet arritën gjithsej 264 vjet burg! Me 20 vjet burg u dënuan: Besim Rama, Adem Jashari, Jakup Nura, Fadil Kadriu, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Rafet Rama, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Rexhep Selimi, Zenun Kodra. Me 15 vjet u dënuan: Idriz Asllani, Ali Januzi. Me 10 vjet u dënua Hashim Thaçi, Avni Nura me 4 vjet, që gjithsej me këtë dënim që morën nga Serbia u dënuan 264 vjet burg!”, tha ajo.
Ajo ka thënë se vendimi i 16 shtatorit, sipas saj, ua ka rikthyer në kujtesë dhimbjen dhe vuajtjen e asaj kohe.
“Mjerisht, me 16 shtator, vendimi na i riktheu në kujtesë dhimbjen dhe vuajtjen e asaj kohe. Përtej kësaj, në bankën e të akuzuarve Adem Jashari, Sahit Jashari, Ilaz Kodra, Zahir Pajaziti, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, sot e patën fatin e tyre”, u shpreh ajo.
Krasniqi ka kërkuar rishikimin dhe vlerësimin e fakteve në kontekstin e kohës dhe të historisë së popullit shqiptar.
“Prandaj, sonte kërkojmë rishikim dhe vlerësim të fakteve në kontekst të kohës dhe të historisë së popullit shqiptar. Dënimi në Hagë u bë edhe me prova serbe, siç prapë pranuar vetë qartë sipas një të drejte. Në bindjen tonë, Evropa po gabon”, theksoi ajo.
Duke folur për provat e përdorura në proces, ajo ka ngritur një pyetje retorike dhe ka përmendur edhe rastin “Panda”.
“Pyetja është shumë e thjeshtë: A do të konsiderohej i drejtë dënimi i hebrenjve me provat e nazistëve? Provat e provuara nga pala kundërshtare që vret fëmijët e vet, në rastin ‘Panda’ për t’u shfajësuar shqiptarët, automatikisht janë të pavlefshme! Thirrjes së gjuhës e shkencës, dënimi i mbështetur në mënyrë vendimtare në materialin e aparatit represiv të palës kundërshtare pa verifikim të provave është i papranueshëm.”
Veteranja ka folur edhe për rolin e gruas shqiptare në luftën dhe përpjekjet për liri.
“E papranueshme është edhe nga gruaja shqiptare që nuk iu nda rrugës së lirisë. Për lirinë kërkuan shekuj dhe luftuan gjatë. Gruaja shqiptare ishte mbretëreshë, luftëtare në front, heroinë e burgosur politike nën regjimin serb, nëna dhe baba dhe fëmijët, shtyllë e familjes dhe mbështetje e palëkundur e luftës për liri”, tha ajo.
Krasniqi ka shprehur mbështetjen e saj për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Andaj, dhimbjen, frikën dhe mungesën pa u ankuar dhe pa u dorëzuar kurrë, edhe sot jemi krah juve! Bashkë me ju! Bashkë me ju Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi! Bashkë me ju edhe sot e kësaj dite, në vatrën tuaj!”, shtoi ajo.
