Arrestohet 25-vjeçari me urdhërarrest aktiv në Ferizaj, i gjendet armë me fishekë

Prishtinë | 23 Maj 2026 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Një person është arrestuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Sojevë të Ferizajt, pasi ndaj tij kishte urdhërarrest aktiv dhe gjatë kontrollit policor iu gjet edhe një armë zjarri.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 23:25, kur patrulla e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor kishte ndaluar për kontroll një veturë të tipit “Opel Meriva” me targa vendore.

Gjatë verifikimit të pasagjerit, personi me inicialet L.T., 25 vjeç, rezultoi se kërkohej me urdhërarrest aktiv të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Po ashtu, gjatë kontrollit tek ai është gjetur një pistoletë me pesë fishekë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë reaguese, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga hetuesit.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar rast për armëmbajtje pa leje, ndërsa më pas është dërguar në vuajtje të dënimit me burg prej 20 ditësh për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Të ngjashme