Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Mentor Ismajli, ka reaguar lidhur me projektin e parkut solar të paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, duke ngritur dyshime për mosrealizimin e tij dhe fatin e garancionit bankar.
Në një reagim, Ismajli ka pyetur se çfarë ka ndodhur me projektin dhe fondet e parapara për të.
“Ku mbetën 7.5 milionë euro të garancionit bankar?”
Ai ka rikujtuar se më 31 maj 2024 është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e një projekti solar me vlerë mbi 70 milionë euro.
“Më 31 maj 2024, ministrja Artane Rizvanolli nënshkroi marrëveshjen me konsorciumin ndërkombëtar ‘Orllati Groupe’, ‘Holdigaz’, ‘ZPV’ dhe ‘Jaha Solar’ për ndërtimin e një projekti solar me vlerë mbi 70 milionë euro.”
Sipas tij, për projektin janë dhënë premtime të mëdha, por ende nuk ka rezultate konkrete në terren.
“U premtua revolucion energjetik. U premtua ndërtim brenda dy viteve. U premtuan rezultate të mëdha për Kosovën.”
Ai ka ngritur një sërë pyetjesh për vonesat dhe mungesën e progresit.
“Ku është projekti? Ku janë panelet solare? Ku janë investimet? Ku janë rezultatet?”
Ismajli ka kërkuar sqarime edhe për garancionin bankar, duke theksuar se, sipas marrëveshjes, ai mund të tërhiqet në rast mosrealizimi të obligimeve kontraktuale.
“Sipas marrëveshjes, Ministria e Ekonomisë ka të drejtë ta tërheqë garancionin nëse investitori nuk i përmbush obligimet kontraktuale”, tha ai.
Ai ka përmendur edhe skepticizmin e shprehur më herët nga figura publike, duke shtuar se afatet e projektit po afrojnë përfundimit pa rezultate të dukshme.
“Madje edhe Viktor Buzhala, sot kandidat për deputet nga VV, kishte shprehur skepticizëm për këtë projekt…”
Ismajli ka kritikuar qeverinë për mënyrën e menaxhimit të projektit.
“Kjo nuk është qeverisje serioze. Kjo është propagandë, papërgjegjësi dhe mashtrim ndaj qytetarëve. Kosova meriton transparencë. Jo spektakle mediatike.”