Komuna e Istogut ka njoftuar qytetarët për organizimin e grumbullimit të mbetjeve nga therja e Kurbanëve gjatë festës së Kurban Bajramit, duke vendosur kontejnerë specialë në disa lokalitete.
Autoritetet komunale kanë apeluar që këto mbetje të mos hidhen në vende të papërshtatshme, me qëllim të ruajtjes së higjienës dhe shmangies së kundërmimit.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Inspekcionit Komunal në bashkëpunim me K.R.M “Ambienti” kanë hartuar një plan të posaçëm për mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve të Kurbanëve.
“Të dashur qytetarë të Komunës së Istogut, ju informojmë se të gjitha mbetjet nga therja e Kurbanëve mund t’i dërgoni në pikat grumbulluese ku janë vendosur kontejnerë specialë”.
Kontejnerët janë vendosur në disa fshatra dhe zona të komunës, përfshirë Istogun, Vrellën, Banjën, Gurrakocin, Rakoshin, Saradranin, Zallqin dhe Studenicën.
Sipas komunës, të gjitha mbetjet e grumbulluara do të trajtohen në mënyrë të kontrolluar dhe do të groposen në vende adekuate.
“Drejtoria e Inspekcionit Komunal së bashku me K.R.M ‘Ambienti’ në Istog, kanë paraparë planin për mbledhjen e mbetjeve nga therja e Kurbanëve me kontejner special, ku të gjitha këto mbetje do të groposen në vendet adekuate”, thuhet më tej në njoftim.
Autoritetet komunale u kanë bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi gjatë kësaj periudhe festive.
“Ju bëjmë apel të gjithëve që mbetjet mos të hudhen në vende jo adekuate për shkak të higjienës dhe mundësisë së kundërmimit”, theksohet në reagim.
Komuna ka paralajmëruar gjithashtu masa ndëshkuese për ata që nuk respektojnë udhëzimet e dhëna.
“Për mos përfilljen e këtij njoftimi, Drejtoria e Inspekcionit do të marrë masa konform ligjeve në fuqi”, përfundon njoftimi.
Në fund, Komuna e Istogut ua ka uruar qytetarëve festën e Kurban Bajramit.