IKD publikon raportin “Reforma në Ngërç”: Strategjia për Sundimin e Ligjit larg objektivave

Prishtinë | 26 Maj 2026 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026 ka mbetur larg objektivave të parapara, duke theksuar mungesën e progresit, koordinimit dhe planifikimit në reformën e drejtësisë.

Këto gjetje u publikuan gjatë prezantimit të raportit “Reforma në Ngërç”, ku përfaqësues të IKD-së kritikuan institucionet për qasjen ndaj strategjisë dhe zbatimit të saj, raporton Ekonomia Online.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, kritikoi institucionet për moszbatimin e strategjisë dhe për mënyrën se si janë trajtuar reformat në sektorin e drejtësisë.

“Me keqardhje ju them se ky raport e thotë të kundërtën. Dhe kjo unë besoj se është mosrespekt në radhë të parë ndaj partnerëve ndërkombëtarë të cilët kanë investuar me dhjetëra miliona euro në rishikim funksional sikur sundimi i ligjit. Kam qenë pjesë e këtij rishikimi prej fillimit dhe kur ka filluar në vitin 2016-17, pastaj rrugës së vitit. Atëherë ka qenë ndër kompanitë më të rëndësishme që Republika e Kosovës ka bërë prej çlirimit, madje pas shpalljes së pavarësisë. Dhe po përmes rishikimit funksional kemi bërë një rishikim strukturor, në radhë të parë të arkitekturës, të institucioneve, pastaj të ligjeve, do të thotë bashkëpunimit, koordinimit ndërinstitucional. Na kujtohet që kishim probleme me luftimin e korrupsionit, se kishim shumë agjenci, nuk dihej se kush për çfarë është kompetent për me luftuar korrupsionin. Kishim do të thotë probleme thuajse sistematike. Kur kemi përfunduar fatkeqësisht ciklin, mund të themi që kemi përfunduar ku as 30% apo 40% mos të hyj në detaje të strategjisë nuk është zbatuar. Tash t’ju tregoj, është raporti i tretë që ne si IKD po e publikojmë do të thotë në tre vitet e fundit, çdo vit pra strategji”, ka thënë ai.

“Rrugës kemi parë fatkeqësisht që shumë ligje që janë miratuar në këto tre vitet e fundit janë miratuar në kundërshtim me vetë objektivat e strategjisë. Thonë se kemi ne parti politike në pushtet, e cila e ka miratuar strategjinë 2021-2026, është pajtuar me këtë strategji dhe është pajtuar do të thotë me aktivitetet, objektivat që ka marrë përsipër për me zbatuar në faqet në vazhdim. Fatkeqësisht do të thotë kemi një numër të madh të ligjeve që fatkeqësisht janë hartuar në kundërshtim me vetë strategjinë. Nëse më lejohet një shembull, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës ka ndodhur për herë të parë besoj, jo në Kosovë po mendoj në ndonjë shtet tjetër, ku ky ligj sa është miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, qeveria filloi të bëjë ndryshimin e tij. Akoma pa u miratuar i njëjti ligj është çuar përsëri te kjo qeveri. Akoma pa u miratuar në Kuvend e filluan këtë ndryshim. Domethënë, se kjo qasje tregon se sa ka qenë joserioze edhe sa e padrejtë në një farë mënyre do të thotë mënyra se si i janë qasur strategjisë”, tha Miftaraj.

Ndërkaq, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Qemajl Marmullakaj, tha se raporti pasqyron ngecjen e reformës në sundimin e ligjit dhe mungesën e rezultateve konkrete.

“Siç edhe e paraqet titulli, ‘Reforma në Ngërç’ reflekton gjendjen aktuale të kësaj reforme në sundimin e ligjit në Kosovë. Një reformë që filloi me pritje të mëdha, por që sot, pas pothuajse pesë viteve të miratimit të saj, vazhdon të përballet me vonesa, mungesë koordinimi, planifikim të dobët dhe progres të kufizuar në zbatim”, tha Marmullakaj.

Ai shtoi se Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021-2026 ishte konsideruar si ndërhyrja më ambicioze në sektorin e drejtësisë në Kosovën e pasluftës, por sipas gjetjeve të raportit, zbatimi i saj ka mbetur larg objektivave të parapara.

“Një nga problemet më serioze të kësaj strategjie ka qenë mungesa e vazhdimësisë në zbatim. Plani i veprimit fillestar përfundoi në vitin 2023 dhe gjatë vitit 2024 nuk kemi pasur plan veprimi dhe institucione funksionale në zbatim të tij. Në praktikë, kjo krijoi një vakum prej pothuajse një viti në zbatim të strategjisë”, deklaroi Marmullakaj.

Sipas tij, edhe plani i ri i veprimit për vitet 2025-2026 nuk ka arritur të adresojë mangësitë kryesore të identifikuara në fazën e parë të zbatimit.

“Shumica e aktiviteteve në planin e veprimit 2025-2026 nuk janë të kostuara, ndërsa mungesa e vlerësimit të ndikimit buxhetor ngre pikëpyetje në ligjshmërinë e miratimit të atij plani. Në vend që të kemi një rishikim që i shërbente si korrigjim i strategjisë, kemi një vazhdimësi dhe ripaketim të aktiviteteve ekzistuese”, shtoi ai.

Ndwrsa, zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Arjeta Sadiku, tha se KGJK ka luajtur rol kyç në ruajtjen e vazhdimësisë së reformave në drejtësi, pavarësisht mungesës së planit të veprimit për disa vite.

“Siç e dini, në kuadër të zbatimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka qenë një ndër institucionet kyçe bartëse të reformave në sistemin e drejtësisë, duke ushtruar rol aktiv jo vetëm në zbatim, por edhe në udhëheqje, koordinim dhe konsolidim të proceseve strategjike në nivel shtetëror. Fillimisht duhet theksuar se gjatë periudhës 2021-2024 nuk ka ekzistuar një plan veprimi i miratuar për zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit. Megjithatë, edhe në mungesë të një kornize të unifikuar të planifikimit strategjik, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka siguruar vazhdimësinë dhe funksionalitetin e reformave përmes planeve vjetore të punës dhe mekanizmave të brendshëm institucionalë, duke garantuar që objektivat strategjike të mos mbesin vetëm në nivel deklarativ, mirëpo edhe të materializohen përmes veprimeve konkrete dhe rezultateve të matshme. Në këtë periudhë, Këshilli ka vepruar si faktor stabiliteti institucional, duke ruajtur ritmin e reformave dhe duke siguruar funksionim normal të sistemit gjyqësor, pavarësisht sfidave institucionale dhe mungesës së një plani të integruar veprimi. Me rishikimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe miratimin e planit të veprimit për vitin 2025, është krijuar pastaj një bazë më e strukturuar dhe funksionale për koordinimin institucional, monitorimin sistematik dhe zbatimin efektiv të reformave në sektorin e drejtësisë. Si nënshkrues i deklaratës së përbashkët të zotimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë pjesë aktive në hartimin dhe zbatimin e këtij plani, duke dëshmuar përkushtim institucional dhe lidership në avancimin e sistemit gjyqësor. Një rol veçanërisht i rëndësishëm është shënuar gjatë periudhës kur Komiteti Drejtues i Strategjisë është udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha Sadiku.

Ndwrsa, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi tha se gjetjet e raportit duhet të trajtohen me seriozitet institucional, duke theksuar se sistemi prokurorial ka shënuar progres në zbatimin e aktiviteteve të parapara në Strategjinë për Sundimin e Ligjit.

“Raporti që kemi sot para vetes dhe që po na prezantohet, sjell gjetje serioze lidhur me zbatimin e strategjisë për sundimin e ligjit dhe planit të veprimit 2025-2026. Si kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, e konsideroj të rëndësishëm që këto gjetje të trajtohen me përgjegjësi, seriozitet dhe gatishmëri për efektivitet institucional nga të gjithë ne që na takon. Është e vërtetë se raporti evidenton vonesa në zbatimin e disa aktiviteteve strategjike, mungesë të koordinimit ndërinstitucional, si dhe sfida në monitorimin efektiv të reformave. Po ashtu, raporti thekson edhe mungesën e planit të veprimit gjatë vitit 2024 dhe miratimin me vonesë të planit të veprimit, natyrisht që kjo ka krijuar edhe vështirësi reale në operacionet, në zbatimin e strategjisë për sundimin e ligjit. Këto janë çështje që nuk duhet të, të relativizohen”, ka thënë ai.

“Megjithatë, po aq e rëndësishme është edhe që, krahas kritikave dhe sfidave, të evidentohen edhe zhvillimet konkrete që sistemi prokurorial ka arritur gjatë vitit 2025, periudhë që mbulon pra ky raport që kemi ne sot, sepse vetëm përmes një pasqyre të balancuar mund të kuptohet realisht progresi dhe sfidat e reformës. Këshilli Prokurorial i Kosovës, si një ndër aktorët kryesorë të këtij procesi, ka një sërë aktivitetesh të parapara në këtë plan të veprimit të vitit 2025. Është me rëndësi të theksohet se edhe në raportin monitorues evidentohet se Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe sistemi prokurorial në përgjithësi ka një përqindje relativisht të lartë të zbatueshmërisë së aktiviteteve, rreth 53%, dhe vetëm dy aktivitete të pa, pakoordinuara. Kjo tregon përkushtimin institucional dhe seriozitetin me të cilin sistemi prokurorial i ka, i është qasur obligimeve që dalin nga strategjia për sundimin e ligjit. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të bërë dhe se reforma në drejtësi është proces i vazhdueshëm dhe kritikat konstruktive do të na shërbejnë si shtysë që të vazhdojmë edhe me shumë përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë”, tha Gashi.

Të ngjashme