Osmani: Kur mbështetet gruaja, forcohet e gjithë familja dhe shteti

Prishtinë | 26 Maj 2026 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me gratë e OJQ-së “Pojata”, ku është diskutuar për fuqizimin e grave, ruajtjen e traditës përmes artizanateve dhe sfidat me të cilat përballen familjet çdo ditë.

Osmani ka theksuar se gratë vazhdojnë të mbajnë barrë të madhe në shoqëri, përballë pensioneve të ulëta, kostos së barnave dhe nevojës për një sistem më të fuqishëm shëndetësor.

“Në takim me gratë e OJQ Pojata, folëm për fuqizimin e gruas, ruajtjen e traditës përmes artizanateve dhe sfidat që shumë familje i përballojnë çdo ditë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka vlerësuar rolin e grave në ruajtjen e familjes dhe traditave, pavarësisht vështirësive me të cilat përballen.

“Nga pensionet e ulëta te barra e barnave dhe nevoja për një shëndetësi më të fortë, gratë tona po mbajnë shumë mbi supe. Por pavarësisht lodhjes e sfidave, ato vazhdojnë të mbajnë familjet bashkë, të ruajnë traditat e mira dhe të japin forcë për gjithë shoqërinë tonë”, ka theksuar ajo.

Osmani ka nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së grave për forcimin e familjes dhe shtetit.

“Kur një grua mbështetet, forcohet e gjithë familja dhe i tërë shteti”, ka shkruar Osmani.

Të ngjashme