Inaugorohet rruga në Topillë të Shtimes, do të kushtojë mbi 400 mijë euro

Prishtinë | 26 Maj 2026 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, bashkë me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, kanë marrë pjesë në inaugurimin e rrugës së fshatit Topillë në komunën e Shtimes. Gjatë inaugurimit, ata theksuan rëndësinë e investimeve infrastrukturore për zhvillimin ekonomik, rikthimin e banorëve në zonat malore dhe nxitjen e turizmit e bujqësisë në këtë pjesë të vendit, raporton Ekonomia Online.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha bashkë me kryetarin e komunës së Shtimes, Qemajl Aliu kanë marrë pjesë në inaugurimin e rrugës së fshatit Topillë në komunën e Shtimes, raporton Ekonomia Online.

Basha tha se të gjitha projektet e mira që janë bërë ne komunën e Shtimes janë arritur me mbështetjen e Qeverisë Kurti.

“Është një rrugë që përveç se është infrastrukturë, siç e tha edhe kryetari më herët, i rrit vlerën kësaj ane, këtyre bukurive natyrore, që si pasojë, pra, shton edhe turizmin malor që është më se i domosdoshëm në këto treva. Por hapësirat që ofrojnë këto vende janë jashtëzakonisht të mrekullueshme, prandaj ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur me mbështetjen që bëjmë për qytetin e Shtimes, për fshatrat për rreth, por mbi të gjitha për ne është jashtëzakonisht me rëndësi që të gjitha projektet që janë bërë në Shtime, me miliona euro që kanë ardhur prej mbështetjes së qeverisë Kurti, janë menaxhuar në formën më fantastike nga kryetari, doktor Qemajl Aliu, gjithashtu mik imi i mirë. Po gjithashtu s’duhet me harru edhe asambleistët që janë këtu që kanë kërkesa të përhershme për këto projekte që mbështesin bashkëfshatarët. Kështu që, sigurisht që ne duhet t’i falënderojmë qeverinë Kurti që vazhdimisht është në mbështetje të shtimjanëve, por njëkohësisht doktor Qemajl Aliun, kryetarin e Shtimes, që ka bërë një punë fantastike dhe i qëndron premtimeve mbrapa që i ka dhënë për bashkëfshatarët. Faleminderit edhe njëherë. Në këtë natë Bajrami, është një festë shtesë për bashkëfshatarët. Kështu që, urime të gjithëve”, tha Basha.

Poashtu edhe kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu ka thënë se në këtë fshat janë asfaltuar mbi 20 kilometra rrugë.

“Siç po e shihni, sot është një ditë e bukur, edhe një ditë me diell, ashtu qysh e meriton, siç e përmendi ministri, në natë Bajrami, natë feste. Ne kësaj feste po ja shtojmë edhe ne një festë tjetër, edhe një urim, edhe një gëzim tjetër. Fiks para 6 muajve, ne ministër e kemi përuruar rrugën 8-kilometërshe që na solli deri këtu, edhe tashti, si ashtu siç edhe jemi zotuar, unë personalisht, po bashkë edhe me kryeministrin Kurti, ne po e fillojmë punën edhe një rruge tjetër, kësaj radhe lidhjes së fshatit me rrugën kryesore, rrugë 4-kilometërshe që do të duhet të kushtojë diku mbi 400 mijë euro, e cila rrugë i lidh të gjitha lagjet e fshatit Topill. Mos të harrojmë me përmend që ne për këto 4 vite të mandatit të parë qeverisës, me ndihmën e qeverisë Kurti e me ndihmën e Ministrisë së Infrastrukturës, vetëm në fshatrat e malësisë, siç është fshati Topill, po dhe fshatrat e tjerë të malësisë, i kemi asfaltuar diku 20 kilometra rrugë. Dhe përmes këtyre rrugëve, ne jo vetëm që po e rikthejmë popullatën këtu, në trojet e tyre të lashta, autoktone, po edhe po i rihapim mundësitë e zhvillimit ekonomik, blegtorisë, bujqësisë, agroturizmit e këtyre veprimtarive që do të jenë të mirëseardhura, jo thjesht për zhvillimin e ekonomive familjare, po edhe zhvillimin e të gjithë mbarshëm të komunës së Shtimes, po edhe të, pse jo edhe të Republikës. Ne si komunë e Shtimes, përveç që jemi të bekuam me njerëz të mirë që ka Shtimja, edhe që i ka pasë gjithmonë, ne jemi të bekuam, siç po e shihni, edhe me natyrën e jashtëzakonshme që na e ka dhënë Perëndia. Prandaj, këtë natyrë ne po e prosperojmë duke ju ofruar në radhë të parë infrastrukturë dhe komunikim, e më vonë vijnë investimet mbrapa, qoftë nga bizneset, nga ekonomitë familjare, po edhe nga shteti, pse jo. Kështu që edhe njëherë, urime, urime! Na priftë e mbara bashkë, e në raste të tilla gëzimesh e përurimesh gjithmonë”, tha Aliu.

Të ngjashme