Reçica zhvillon aktivitete elektorale në Deçan, Gjakovë e Pejë: Mbështetje e madhe për PDK-në dhe numrin 125

Prishtinë | 30 Maj 2026 | 07:35 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Elmi Reçica, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh gjatë së premtes në kuadër të fushatës zgjedhore, duke takuar qytetarë, veprimtarë dhe struktura të partisë në disa komuna të Kosovës.

Reçica e nisi ditën në Deçan, ku tha se zhvilloi një takim me miq, bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë, duke e cilësuar atë si një fillim të mbarë të ditës. Gjatë qëndrimit në këtë komunë, ai u takua edhe me qytetarë dhe figura lokale, ndërsa theksoi mbështetjen për sloganin zgjedhor të PDK-së “125”, duke bërë thirrje që më 7 qershor qytetarët t’i thonë “PO zhvillimit dhe STOP krizës”.

Në një tjetër postim nga Deçani, kandidati i PDK-së tha se “në Deçan ndihesh më i fortë”, teksa publikoi një takim me Jetmirin, të cilin e përshkroi si “zë të palodhshëm të ndryshimit dhe energjisë pozitive”.

Aktivitetet e Reçicës vijuan në Gjakovë, ku ai zhvilloi takime me qytetarë dhe me shtabin zgjedhor të PDK-së. Ai deklaroi se në selinë e partisë në këtë qytet ka parë energji, mobilizim dhe vullnet për fitore, ndërsa shtoi se entuziazmi në terren është sinjal se “ndryshimi po vjen”.

Po ashtu, Reçica publikoi edhe takimin me fotografin Murteza Kurti, për të cilin tha se për vite me radhë ka dokumentuar momente të rëndësishme të historisë së Kosovës. Sipas tij, fotografitë e Kurtit përfaqësojnë dëshmi të dhimbjes, sakrificës dhe rrugëtimit të popullit drejt lirisë.

Në kuadër të vizitës në Gjakovë, kandidati për deputet vizitoi edhe mjeshtrin Ruzhdi Qarri, të cilin e vlerësoi për ruajtjen e traditës shqiptare përmes punimit të djepave tradicionalë prej druri. Reçica tha se njerëz të tillë e mbajnë gjallë identitetin kulturor shqiptar.

Në mbrëmje, ai mori pjesë në një aktivitet elektoral në Gjakovë, për të cilin tha se qytetarët dhanë mbështetje të qartë për PDK-në dhe vizionin e saj për ndryshim. “Bashkë po e rikthejmë fuqinë e shtetit, dinjitetin e qytetarit dhe vizionin për një Kosovë më të mirë”, ka shkruar Reçica.

Aktivitetet e ditës u përmbyllën në Pejë, ku kandidati i PDK-së tha se ndjeu forcën e mbështetjes qytetare për vizionin e partisë, duke e cilësuar numrin 125 si “adresë të ndryshimit për Kosovën”.

Të ngjashme