Osmani: Alternativa e vetme është LDK-ja, mos ta lëmë Kosovën të shkojë drejt katrahurës

Prishtinë | 30 Maj 2026 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për unitet dhe mbështetje për LDK-në, duke thënë se vendi nuk duhet të lejohet të shkojë drejt “katrahurës”, raporton Ekonomia Online.

Në një tubim zgjedhor në Klinë, Osmani tha se sakrifica për Kosovën do të ketë kuptim vetëm nëse ruhet shpresa dhe bashkimi për të ardhmen e të rinjve.

“Por natyrisht që tërë ajo sakrificë do të ketë kuptim vetëm kur secili prej nesh, secili dhe jo vetëm ne që jemi në politikë, e kuptojmë se e kemi mision kombëtar, e mision historik madje, që për hir të këtyre fëmijëve që i pamë pak më herët në skenë, të të gjithë fëmijëve, të gjithë vajzave dhe djemve të këtij vendi, mos ta lëmë shtetin tonë të shkojë drejt katrahurës. Mos lejojmë që shpresa të vdesë për secilin të ri e të re në vendin tonë. Mos lejojmë që përçarja t’i zë vend bashkimit. Mos lejojmë që ofendimet e fyerjet ndaj nënave shqiptare, përfshirë edhe nënave që i dhanë bijtë e bijat e veta për këtë komb, të zënë vend në moralin e shoqërisë sonë”, tha ajo.

Osmani tha se qytetarët duhet të zgjedhin rrugën e bashkimit dhe të vizionit euroatlantik, duke vlerësuar se alternativa e vetme është LDK-ja.

“Por ta zgjedhim pikërisht të kundërtën. Ta zgjedhim atë forcë e atë vizion që gjithmonë e ka shtyrë shtetin tonë e kombin tonë aty ku duhet: në rrugën e bashkimit, në rrugën e vizionit euroatlantik, në rrugën e bashkimit të shqiptarëve rreth vlerave familjare në njërën anë dhe vlerave më të larta kombëtare në anën tjetër. Dhe ju e dini cila është ajo alternativë. Sepse ka qenë gjithmonë vetëm një, dhe edhe sot është vetëm një. Dhe ajo është lëvizja më e madhe që ka njohur populli shqiptar për liri, pavarësi e demokraci. Ajo është pikërisht Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ajo.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë angazhimin për të ardhmen e fëmijëve dhe mirëqenien e familjeve në Kosovë.

“Prandaj ju ftoj, unë ju ftoj në këto momente vendimtare për të ardhmen e këtyre fëmijëve si drita, ju ftoj që mos ta ndalim kurrë mundin, mos ta ndalim kurrë punën, mos ta ndalim madje as sakrificën e nevojshme që duhet secili ta bëjë. Sepse ju e dini shumë mirë çka bën nëna për fëmijën, çka bën babai për fëmijën është gjithçka. Nuk ka kufi. Prandaj për këta fëmijë, që ata të kenë perspektivë, që të kenë shkollim që e meritojnë, që të kenë shërbime cilësore shëndetësore, që të kenë punësim të garantuar, që të kenë edhe praktikë e specializim të garantuar, që familja të ketë mirëqenien e nevojshme që mos të ketë nevojë të mendojë që buxhetin familjar ta shpenzojë për ushqimin e fëmijëve, apo për veshmbathjen e tyre, apo për shpenzimet e tjera, apo për pagesën e rrymës, por të ketë mirëqenie e cila e ndien edhe dorën e shtetit, ju lus që mos ta ndalni punën, t’ia japim fëmijëve tanë, fëmijëve të Republikës së Kosovës këtë alternativë të cilën e meritojnë”, tha ajo.

Të ngjashme