Osmani: Debati po zëvendësohet me shpifje dhe fyerje, bashkimi nuk është rreth individit apo partisë

Prishtinë | 30 Maj 2026 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një moment vendimtar dhe ka bërë thirrje për bashkim rreth vlerave të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, raporton Ekonomia Online.

Në tubimin zgjedhor të mbajtur në Pejë, Osmani tha se gjatë pesë viteve të fundit është mbrojtur interesi i Kosovës në çdo forum ndërkombëtar.

“Prandaj jemi dal sot ballëhapur e me faqe të bardhë para jush, se pikërisht këtë vizion, pikërisht vizionin rugovist e kemi mbrojtur si këtu në Pejë ashtu edhe në përfaqësimin e vendit jashtë. Ballëhapur sepse gjatë këtyre pesë viteve që shkuan, kemi mbrojtur interesin e Republikës në çdo takim ndërkombëtar, në çdo forum, në çdo stil, e mbi të gjitha përballë armiqve të Kosovës. Ballëhapur sepse nuk ka cep të botës ku nuk është dëgjuar e vërteta e Republikës sonë, e vërteta e popullit tonë, sakrifica e tokës sonë. Prandaj të dashur pejanë, Kosova sot ndodhet në një moment vendimtar dhe Peja më mirë se çdokush tjetër ka ditur gjithmonë t’i prijë ndryshimeve historike në këtë vend. Në një kohë kur kombet po bashkohen për të përballur sfidat, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e përçarjes. Prandaj edhe jemi bashkuar”, tha ajo.

Osmani tha se bashkimi nuk është rreth një individi apo partie, por rreth themeleve të shtetit.

“Jo bashkim rreth një individi, jo bashkim thjesht rreth një partie, por bashkim rreth tre themeleve të shtetit tonë: liri, pavarësi dhe demokraci. Sepse siç e din Peja dhe e gjithë Kosova, bashkimi asnjëherë nuk kërkon që të gjithë të jemi në një mendje. Përkundrazi, demokracia humb sharmin e saj në qoftë se të gjithë, të gjithë detyrohen që të mendojnë njësoj. Bashkimi nënkupton respekt. Respekt edhe kur kemi gatishmëri të ecim përpara, edhe kur kemi mendime ndryshe. Dhe ky bashkim është vetëm hapi i parë”, tha ajo.

Ajo tha se kundërshtarët politikë po shmangin debatin dhe po përdorin propagandë e fyerje.

“Siç e dini të nderuar pejanë, kur rrezikohen themelet demokratike të vendit, detyrë e një presidenti është ta mbrojë Kosovën me çdo kusht. Ashtu siç kam bërë gjithmonë. E sot, disa përpiqen që ta zëvendësojnë debatin me shpifje. E dini pse? Sepse frikësohen, frikësohen të dalin përballë dhe të bëjnë debat. Frikësohen që të bëjnë debat para juve, para popullit të Republikës së Kosovës. Prandaj përpiqen të zëvendësojnë argumentin me fyerje, prandaj përpiqen që të zëvendësojnë vizionin me propagandë. Por përgjigja jonë ka qenë dhe mbetet e njëjtë. Në vend të urrejtjes, ne do të bëjmë debat të respektit. Në studio, në sheshe, në mes të popullit”, tha ajo.

Të ngjashme