Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, ka zhvilluar gjatë ditës së premte një sërë aktivitetesh dhe takimesh me qytetarë, gra dhe përfaqësues të bizneseve në komuna të ndryshme, duke prezantuar programin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe vizionin për zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjatë një takimi me gra të qytetit, Reçica theksoi rëndësinë e rolit të grave në proceset shoqërore dhe zhvillimore, duke vlerësuar angazhimin dhe energjinë e tyre si faktor kyç për ndryshimet pozitive në vend. Ai u shpreh se përkushtimi i grave kontribuon në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë qytetarët.
Në vazhdën e aktiviteteve, kandidati i PDK-së vizitoi edhe biznesin “Flutura Cake Shop”, ku u njoh nga afër me sfidat me të cilat përballen sipërmarrësit vendorë. Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe kostot e larta operative po vështirësojnë funksionimin dhe zhvillimin e bizneseve, ndaj kërkohen politika institucionale që mbështesin sektorin privat dhe krijojnë kushte më të favorshme për investime.
Reçica zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të bizneseve ndërtimore dhe shërbyese “Nderimi”, “Ndriçimi Plast” dhe “Ekosistem”. Gjatë bashkëbisedimit me ta, u diskutua për nevojën e mbështetjes së bizneseve vendore me qëllim rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ai theksoi se zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i sektorit privat mbeten ndër prioritetet kryesore të programit të PDK-së.
Fushata vazhdoi edhe në Lipjan dhe Shtime, ku qytetarë dhe mbështetës të shumtë morën pjesë në tubimet elektorale. Reçica vlerësoi përkrahjen e qytetarëve, duke theksuar se Kosova ka nevojë për zhvillim që reflektohet në mirëqenien e familjeve, forcimin e bizneseve dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 7 qershor të mbështesin programin e PDK-së, të cilin e cilësoi si alternativë për zhvillim ekonomik, stabilitet dhe përmirësim të kushteve të jetesës në Kosovë.
