Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa, ka deklaruar nga një tubim elektoral në Gjakovë se qytetarët e Kosovës janë të gatshëm për ndryshim në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një adresim para qytetarëve, përfaqësuesve të bashkësive fetare, aktivistëve dhe simpatizantëve të PDK-së, Beqa e cilësoi pjesëmarrjen e madhe në tubim si dëshmi se ndryshimi politik po afrohet.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet më shumë zhvillim ekonomik, qeverisje e përgjegjshme dhe një drejtim i ri që do të sjellë shpresë, punësim dhe mirëqenie për qytetarët.
Beqa kritikoi qeverisjen aktuale, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar në mbështetje të alternativës së ofruar nga PDK-ja.
Ai shprehu mbështetje të fuqishme për kandidatin e partisë për kryeministër, Bedri Hamza, duke theksuar se Kosova meriton më shumë zhvillim, ndryshim dhe fitore.
“PDK është gati. Gjakova është gati. Kosova është gati për ndryshim”, ka deklaruar Beqa, duke ftuar qytetarët që të mbështesin vizionin e partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme.