Shatri: Sigurimet shëndetësore, ulja e listave të pritjes dhe shërbimet stomatologjike janë prioritetet e mia

Prishtinë | 31 Maj 2026 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Metë Shatri, ka prezantuar prioritetet e tij në rast se zgjidhet deputet në Kuvendi i Kosovës, duke theksuar se përvoja e tij profesionale si stomatolog do të ndikojë në angazhimin e tij në fushën e shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.

Shatri në një intervistë për Ekonomia Online tha se prioriteti i parë do të jetë vazhdimi i procesit të jetësimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, ndërsa si objektiva të tjera përmendi shkurtimin e listave të pritjes për shërbimet mjekësore dhe zgjerimin e shërbimeve stomatologjike në qendrat e mjekësisë familjare nëpër Kosovë.

“Atëherë duke pasur parasysh që në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ka profesionistë të ndryshëm, ku mendojmë që secili prej tyre duhet të japë kontributin në atë çka është i thirrur. Unë në këtë rast vij nga fusha e mjekësisë, më saktë jam stomatolog, edhe mendoj që ato prioritetet e mia do të shtrihen dhe të jenë në fushën e mjekësisë. Si prioritet i parë, mendoj që duhet të jetë, edhe pse në seancat e fundit është votuar Ligji për Sigurime Shëndetësore, do të thotë të vazhdohet si procedurë e jetësimit të tij. Si prioritet i dytë mendoj që duhet të jetë shkurtimi i listave të pritjeve, të shërbimeve të ndryshme mjekësore. Dhe e treta, mendoj që mund të jetë shtimi i shërbimeve stomatologjike nëpër qendra të ndryshme familjare nëpër Kosovë”, tha ai,

Shatri tha se nëse zgjidhet si deputet, do të vazhdojë të japë kontribut si mjek stomatolog dhe sipas tij kjo e dallon nga kandidatët tjerë.

“Tash për këtë pozitë, nuk mund të jap premtime të tilla, për shkak se jemi ende në garë zgjedhore. Por nëse arrij të jem pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë mendoj që do të jap kontribut të mjaftueshëm për ato që po shkoj. Mendoj që puna që kam bërë deri tash, që vazhdoj ta bëj si mjek, si stomatolog, mendoj që bën një dallim prej të tjerëve. Duke pasur parasysh që pacientët tanë që vijnë, tregojnë për hallet, për problemet e tyre, po ashtu do të bëjmë edhe trajtimin e tyre. Domethënë është një diferencë, mendoj e vogël, në krahasim me kandidatët e tjerë”, tha Shatri për EO.

Duke folur për takimet me qytetarët gjatë fushatës, ai tha se kërkesat dhe problemet ndryshojnë nga një komunë në tjetrën. Si shembull, përmendi një tubim të mbajtur së fundmi në Istog, ku sipas tij qytetarët ngritën si shqetësim mungesën e funksionalizimit të palestrës së sporteve.

“Duke pasur parasysh që gara zgjedhore është nëpër krejt Kosovën, atëherë edhe kërkesat e tyre nuk janë gjithmonë të njëjta, ato probleme të njëjta. Marr një shembull, që e kemi rastin më të freskët: dje kemi qenë në një tubim në hapësirë, në tubimin e madh të Lëvizjes Vetëvendosje në Istog, ku njëra ndër problemet kryesore që ishte atje, ishte problemi me palestrën e sporteve. Që ishte, që është një periudhë shumë e gjatë, që nuk arrinte të jetësohej, domethënë të ishte aktive për sportistët e Istogut. Mendoj që krejt kandidatët janë duke i dhënë maksimumin e tyre për garën zgjedhore. Edhe me ato çka jam duke i parë nëpër terren, dhe duke i bërë deri tash në fushatë, mendoj që do të jem pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Në fund, kandidati i LVV-së për deputet, Shatri kërkoi mbështetje për Albin Kurtin, duke e cilësuar atë si kryeministër që ka mbështetur kategori të ndryshme të shoqërisë përmes politikave sociale.

“Mesazh për votuesit, do të kishte qenë që kanë me tentuar me qenë një zë i tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Atëherë po ndërlidhemi me përgjigjen paraprake. Mendoj që të jetësohet ajo kërkesa e secilit prej votuesve, edhe falënderim ndaj tyre. Pse duhet me votuar Albin Kurtin? Albin Kurti është Kryeministri i vetëm që i përkrah çdo shtresë të njerëzve. Kemi bërë me pjesën e fundit, që ka pasur shtesa për studentë, shtesa për nënat lehona, shtesat për pensionistët, domethënë i përkrah çdo shtresë të shoqërisë”, tha ai.

Shatri në këto zgjedhje garon me numrin 92, në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Të ngjashme