Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Hetemi, ka prezantuar platformën e tij politike duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme, me synimin për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Hetemi, i cili vjen nga Bistrica e Shalës në Komunën e Leposaviqit, thekson se përfaqëson drejtpërdrejt qytetarët e veriut dhe se, siç u shpreh ai, i njeh nga afër sfidat dhe problemet e tyre të përditshme, duke mos u bazuar në raporte apo statistika, por në përvojën personale.
Ai ka deklaruar se gjendja në zonat veriore mbetet e vështirë, duke përmendur mungesën e punësimit, sfida në bujqësi për shkak të çështjeve administrative, si dhe mungesën e shërbimeve bazike si shëndetësia, transporti publik, çerdhet dhe arsimi cilësor.
Hetemi kritikoi gjithashtu narrativat për “normalizimin” e situatës në veri, duke theksuar se realiteti në terren, sipas tij, është ndryshe dhe duhet të përfaqësohet në institucionet qendrore.
Ai u bëri thirrje qytetarëve nga e gjithë Kosova, veçanërisht përkrahësve të PDK-së, që ta mbështesin në zgjedhje, duke theksuar se synon të jetë “zëri i qytetarëve nga terreni” në Kuvendin e Kosovës.
Në fund të deklaratës së tij, Hetemi kërkoi votën e qytetarëve me numrin 106, duke premtuar përfaqësim të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë të interesave të banorëve të veriut.