Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka folur për masat që programi i Bedri Hamzës parasheh për të rinjtë, me qëllim që ata të kenë më shumë mundësi për punësim, arsimim dhe zhvillim në Kosovë.
Ismaili tha se PDK-ja parasheh 30 milionë euro në vit për bursa, mbështetje për start-up-e dhe grante deri në 30 apo 40 për qind për të rinjtë që duan të nisin biznes.
“Ne i parashohim 30 milionë euro në vit për bursa. Mendoj se është mundësi e madhe me ia ndërru jetën dikujt. Dëshira jonë është me intervenu në dy nivele, me garantu kredi për start-up-e, sepse problemi më i madh është kur ti e fillon një biznes”, ka thënë Ismaili.
Ai ka përmendur edhe fondin për papunësi, i cili, sipas tij, do t’u ndihmonte qytetarëve që humbin vendin e punës të mos mbeten pa mbështetje financiare.
“Fondi i papunësisë nënkupton që, në qoftë se je duke punu diku edhe ti e humb punën, për 6 muaj ti e merr 80 për qind të pagës, pra nuk bëhesh rast social”, ka deklaruar Ismaili.
Sipas tij, këto masa janë menduar si ndërhyrje konkrete për të rinjtë, nga bursat dhe certifikimet, deri te punësimi dhe hapja e bizneseve të reja.