Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Abdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç ka thënë ai, braktisjen e integrimit kombëtar me Shqipërinë dhe mungesën e bashkëpunimit konkret ndërmjet dy vendeve.
“Ka tri vjet që nuk mbahet asnjë mbledhje e përbashkët mes dy qeverive, duke bllokuar mekanizmin konkret për adresimin e çështjeve në bashkëpunim mes dy vendeve. Për pasojë, ka ngecur integrimi ekonomik, arsimor, kulturor dhe shëndetësor. Potenciali i madh që ekziston mes Kosovës dhe Shqipërisë po mbetet i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së vullnetit politik”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, në energji është harruar projekti i përbashkët hidroenergjetik që do të mundësonte një sistem të integruar energjetik, ndërsa në bujqësi nuk është bërë asnjë hap serioz drejt krijimit të një tregu të përbashkët dhe koordinimit të prodhimit.
Ai ka thënë se në turizëm nuk ka strategji për lidhjen e turizmit bregdetar të Shqipërisë me turizmin malor dhe rural të Kosovës, ndërsa në arsim lëvizshmëria e studentëve dhe stafit akademik mbetet minimale.
“Në kulturë, është braktisur plotësisht agjenda e përbashkët kulturore shqiptare, e cila duhej jo vetëm të vazhdonte, por të zgjerohej edhe me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi”, ka deklaruar ai.
Hoti ka thënë se dështimi më i dukshëm mbetet infrastruktura strategjike, duke përmendur hekurudhën Prishtinë-Durrës.
“Për pesë vite me radhë, Qeveria Kurti ka folur për hekurudhën Prishtinë-Durrës si një projekt madhor kombëtar. Pas pesë vitesh qeverisje, nuk ka asgjë konkrete. Nuk është vendosur asnjë metër binar. Projekti vazhdon të mbetet vetëm në deklarata dhe prezantime”, ka shkruar ai.
Sipas Hotit, qeveria e ardhshme duhet t’i rikthehet bashkërendimit të politikave dhe projekteve me Shqipërinë, duke rikthyer mbledhjet e përbashkëta të qeverive dhe duke intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
“Integrimi kombëtar nuk ndërtohet me slogane patriotike, konferenca për shtyp dhe postime në rrjete sociale. Ai ndërtohet me projekte konkrete, me institucione funksionale dhe me rezultate të matshme. Pikërisht këto kanë munguar gjatë këtyre pesë viteve”, ka deklaruar Hoti.