Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ndaluar një person nën dyshimin për veprat penale “Manipulimi me prova” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit, rasti lidhet me hetimet për vdekjen e një punëtori në një vendpunishte më 29 prill 2026, në fshatin Gllaviqicë të komunës së Pejës.
Prokuroria ka bërë të ditur se pas veprimeve intensive hetimore dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Hetimeve në Pejë, sot është arrestuar një person i dyshuar.
Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se ndaj një familjari të të pandehurit po zhvillohen hetime për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.