Profesori serb: Realiteti se Kosova është e pavarur duhet pranuar, kjo nuk është tradhti

Prishtinë | 01 Qer 2026 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Rade Veljanovski profesor dhe analist politik serb ka vlerësuar se realiteti i krijuar në Kosovë gjatë më shumë se dy dekadave nuk mund të injorohet dhe se pranimi i tij nuk duhet të konsiderohet tradhti.

Në një analizë të publikuar së fundmi, ai argumenton se debati për Kosovën në Serbi vazhdon të dominohet nga narrativat historike, identitare dhe nacionaliste, ndërsa mungon një qasje realiste ndaj situatës aktuale.

Sipas tij, Kosova nuk është nën administrimin e Serbisë prej 26 vitesh dhe çdo diskutim për të ardhmen duhet të nisë nga ky fakt. Ai thekson se nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për njohjen formale të pavarësisë, por për pranimin e realitetit politik dhe institucional që ekziston në terren, raporton Radar.

Sipas tij, një nga manipulimet më të mëdha në diskursin publik është akuzimi i atyre që pranojnë realitetin në terren si mbështetës të shkëputjes së Kosovës.

Profesori kritikon akuzat ndaj atyre që pranojnë këtë realitet, duke thënë se shpesh etiketohen si tradhtarë.

Autori kritikon gjithashtu qasjen që e trajton Kosovën vetëm si çështje territori, pa marrë parasysh bashkëjetesën me popullsinë shumicë shqiptare.

Në analizën e tij, ai trajton edhe idenë e rikthimit të Kosovës në përbërje të Serbisë, duke argumentuar se një skenar i tillë do të sillte ndryshime të mëdha demografike dhe politike. Sipas tij, rreth dy milionë shqiptarë të Kosovës do të kishin ndikim të konsiderueshëm në jetën politike të Serbisë, përfshirë parlamentin dhe institucionet shtetërore.

Ai vlerëson se shumë prej atyre që kërkojnë rikthimin e Kosovës fokusohen te territori, por nuk marrin parasysh pasojat politike dhe shoqërore të një bashkëjetese të tillë.

“Nuk është thelbi te njohja apo mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, por te përballja objektive me pasojat dhe përgjegjësitë historike”, thuhet në analizë.

Profesori serb thekson se realiteti aktual nuk mund të ndryshohet me vendime të njëanshme apo me përdorimin e forcës dhe se zgjidhja më e qëndrueshme mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, perspektiva më e mirë për të dyja vendet është integrimi në Bashkimin Evropian, proces që do të lehtësonte bashkëpunimin, lëvizjen e lirë dhe rindërtimin e besimit mes qytetarëve në të dy anët.

Të ngjashme