Aktorja e njohur e serialit “Euphoria”, Alexa Demie, ka reaguar ndaj spekulimeve se mund të tërhiqet nga aktrimi pas sezonit të tretë të serialit.
Thashethemet nisën të qarkullonin pasi një pjesë nga një podcast i vitit 2020 u rikthye së fundmi në rrjetet sociale. Në atë intervistë, Demie kishte folur për sfidat që përballen aktorët latin në Hollywood, gjë që bëri që disa fansa të interpretonin komentet e saj si shenjë se mund të largohej nga aktrimi pasi të përfundonte “Euphoria”.
Në një intervistë për “The Hollywood Reporter”, të publikuar të dielën, 35-vjeçarja hodhi poshtë këto pretendime.
“Po sikur thjesht të mos e dua atë që të tjerët mendojnë se duhet të dua? Njerëzit të heqin të drejtën për të zgjedhur vetë. Çfarë ndodhi me aftësinë time për të marrë vendime? Më pëlqen jeta ime kështu siç është dhe nuk do ta ndryshoja”, tha ajo.
Demie, e cila interpreton personazhin e Maddy Perez që nga debutimi i serialit në vitin 2019, u përball me spekulime edhe për shkak të numrit më të kufizuar të roleve të saj krahasuar me kolegët e kastit si Zendaya, Jacob Elordi dhe Sydney Sweeney, të cilët kanë qenë pjesë e projekteve të shumta të profilit të lartë vitet e fundit.
Megjithatë, aktorja sqaroi se zgjedhjet e saj profesionale janë të qëllimshme dhe reflektojnë mënyrën se si ajo përzgjedh rolet.
“Kam synime dhe gjëra që dua të realizoj, por zgjedh t’i mbaj private”, u shpreh ajo.
Sipas IMDb, Demie numëron 15 role në karrierën e saj. Para suksesit me “Euphoria”, ajo u shfaq në filmin “Mid90s” të Jonah Hill në vitin 2018 dhe në dramën “Waves” në vitin 2019, dy projekte që kontribuuan në ngritjen e saj në Hollywood.
Aktorja foli edhe për vështirësitë që ka hasur në fillimet e karrierës,
“Isha lodhur duke hyrë në ato audicione. Ishte një periudhë kur disa muaj thoja me vete: ‘Po heq dorë’. Por duke e njohur veten, e dija që nuk do ta bëja kurrë. Përkundrazi, doja t’u tregoja të gjithëve se mund t’ia dilja”, rrëfeu ajo.
Sipas Demie, roli në “Euphoria” shënoi një pikë kthese në karrierën e saj. Ajo tha se ishte projekti i parë që e emocionoi vërtet dhe që e ndihmoi të shprehej më lirshëm si aktore.
“Nëse nuk do ta kisha pasur atë përvojë, ndoshta do të isha fshehur diku si Enya”, tha ajo me humor, duke iu referuar këngëtares irlandeze të njohur për jetën e saj private. “Por po mësoj se mund t’i kem të dyja – edhe privatësinë, edhe karrierën.”