Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur fjalim në tubimin zgjedhor në Rahovec, ku ka folur për gjendjen e vendit, potencialin e kësaj ane dhe programin e partisë për qeverisje, raporton Ekonomia Online.
Ai ka vlerësuar Rahovecin si zonë me rëndësi historike dhe kombëtare, duke theksuar se kjo komunë meriton më shumë investime dhe mbështetje institucionale.
“Por Rahoveci është po ashtu krenari kombëtare. Është vend i historisë sonë, i sakrificës dhe i qëndresës. Është pjesë e kësaj ane që na bën vërtet krenarë, që gjithmonë ka ditur të mbajë kokën lart, një anë që Kosovës i ka dhënë njerëz të urtë, punëtorë e patriotë të vërtetë. Dhe pikërisht sepse e njohim potencialin e kësaj ane, e dimë se Rahoveci meriton më shumë. Meriton më shumë investim, kujdes, meriton më shumë mbështetje për fermerin e palodhshëm, për prodhuesin, për vreshtarin. Sepse Rahoveci nuk duhet vetëm të admirohet për atë që ka qenë, por duhet mbështetur për të ardhmen që e pret”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka kritikuar mënyrën e qeverisjes aktuale, duke thënë se qytetarët nuk kërkojnë fjalë, por rezultate konkrete dhe jetë më të mirë.
“Dhe çka bëhet Rahoveci varet nga ne. Sepse ne e dimë një gjë, që qytetarët e Kosovës dhe të kësaj ane nuk kërkojnë vetëm fjalë të mëdha, nuk kërkojnë vetëm arsyetime, justifikime. Nuk kërkojnë politikë që flet shumë e që nuk ndryshon fare gjendjen. Qytetarët e Kosovës kërkojnë një jetë të përballueshme, të dinjitetshme. Kështu që kërkojnë më shumë siguri për familjet e tyre, kërkojnë më shumë shtet që punon për ta, kërkojnë një arsye për të besuar në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka thënë se LDK po garon me program dhe ekip, duke përmendur prioritetet kryesore të qeverisjes së ardhshme.
“Dhe pikërisht për këtë, ne nuk jemi ardhur këtu para jush të flasim me arsyetime për të shkuarën. Jemi këtu për të ndërtuar të ardhmen. Dhe për këtë të ardhme, kemi dy gjëra që s’i ka askush: e para, kemi programin politik më të mirin që e ka pasur ndonjëherë ndonjë parti politike në Kosovë. E dyta, kemi listën e shkëlqyeshme të 110 kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka prezantuar edhe pesë shtyllat kryesore të programit të LDK-së, duke nisur nga kostoja e jetesës dhe investimet publike.
“Dhe këtë program e kemi ndërtuar në pesë shtylla… në pesë shtylla kryesore. Në shtyllën e parë kemi jetën e përballueshme, pra e kemi çmimet. Sepse jeta është bërë e rëndë. Çmimet janë rritur, fundi i muajit është bërë më i gjatë, e për shumë familje, ankthi nuk fillon në fund të muajit, por nis që në fillim të tij. Dhe një shtet serioz nuk mund të rrijë spektator përballë një gjendjeje çfarë e kemi sot”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka premtuar heqjen e TVSH-së për produktet bazike dhe masa për uljen e kostos së energjisë.
“Prandaj, ne do ta heqim menjëherë barrën e kostos së jetesës. Do ta heqim plotësisht TVSH-në për të gjitha produktet bazike: për bukë, për qumësht, për vaj, për miell, për vezë, për secilin produkt esencial të familjeve kosovare. Sepse buka e familjes nuk mund të trajtohet si luks qeveritar e mbledhje e taksave për luksin e tepruar qeveritar”, ka thënë ai.
“Po ashtu, ndër vendimet e para: moratorium i plotë për çmimet e energjisë elektrike. Çmimi i rrymës nuk do të rritet për katër vitet e ardhshme”, është shprehur Abdixhiku.
Ndërsa për rininë, Abdixhiku ka premtuar mbështetje për punësim dhe trajnime.
“Po, do të garantojmë punësim për secilin të diplomuar… Si dhe do të trajnojmë mbi 40 mijë të rinj për të siguruar 40 mijë vende të reja pune gjatë qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shtuar ai.


