Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim zgjedhor në Prizren, ku ka prezantuar programin qeverisës të partisë dhe zotimet kryesore për zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Ai ka folur për potencialin e madh të Prizrenit dhe nevojën për investime më të mëdha në këtë komunë, duke e vendosur fokusin te ekonomia, pagat dhe pensionet në rast të ardhjes në pushtet të LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Ai ka vlerësuar Prizrenin si qytet me histori, kulturë dhe potencial të madh zhvillimor.
“Prizreni është qytet i zejtarëve, i tregtarëve, i punës, i mjeshtërisë, i gurit, i lumit, i urave, i kujtesës sonë kolektive. Një qytet që gjithmonë ka ditur të ruajë e të mbajë shpirtin e vet, pavarësisht kohëve të vështira që ka kaluar. Dhe sot Prizrenit t’i themi se ka potencial të jashtëzakonshëm përpara: i turizmit që mund të bëhet motor zhvillimi, jo vetëm i kësaj ane, por i të gjithë Republikës; i biznesit e gastronomisë që mund të rriten edhe më shumë; i kulturës që mund të bëhet forcë ekonomike; i rinisë së talentuar që e ka ky qytet, që mbi të gjitha meriton mundësi të jashtëzakonshme për të qëndruar e jetuar këtu në Kosovë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka shtuar se qyteti meriton më shumë investime dhe zhvillim.
“Sepse, le ta themi thjesht, një qytet si Prizreni meriton shumë më tepër se çfarë po merr tani. Meriton dhe investime, përkujdesje, zhvillim ekonomik, mbështetje për bizneset, zejtarët, fermerët, të rinjtë e vet, pra meriton të ardhme të mirë. Dhe kjo e ardhme varet nga ne”, ka deklaruar ai.
Duke folur për programin e LDK-së, ai ka theksuar qasjen ndaj ekonomisë dhe çmimeve.
“Në këtë program tonin, ne kemi disa shtylla të cilat duhet t’i trajtojmë me urgjencë. E para, përballja me çmimet, sepse jeta është bërë e rëndë, çmimet janë rritur, fundi i muajit është bërë edhe më i gjatë, e familjet e kanë vetëm një pyetje të thjeshtë secilin muaj: ‘A po ia dalim sërish?’. Dhe një shtet serioz nuk mund të rrijë spektator përballë një gjendjeje të tillë”, ka thënë ai.
Ai ka premtuar heqjen e TVSH-së për produktet bazike dhe stabilitet në çmimin e energjisë.
“Më lejoni të zotohemi që tani se në çdo krizë, qeverisja e LDK-së do të heqë barrat fiskale, e për më tepër do të heqim TVSH-në për të gjitha produktet bazike: për bukën, për qumështin, për vajin, për miellin, për vezët, në mënyrë që çmimet të bëhen të përballueshme për qytetarët tanë”, ka thënë ai.
“Zotohem këtu se për katër vitet e ardhshme, çmimi i energjisë elektrike nuk ka me guxuar me u rritur për as edhe një cent të vetëm”, ka shtuar Abdixhiku.
Ai ka premtuar edhe rritje pagash për sektorin publik.
“Menjëherë, pa asnjë vonesë, do të rrisim pagat në sektorin publik, me koeficientin 150 për 80 mijë punëtorë publikë, kështu që për herë të parë në historinë e Kosovës mësuesi do të ketë pagën 1,000 euro në muaj. Polici, ushtari, zjarrfikësi dhe infermieri do t’i kenë pagat nga 900 euro, sepse shteti mbahet nga njerëzit që çdo ditë i shërbejnë Republikës së tyre”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka premtuar edhe dyfishim të pensioneve.
“Ne do t’i dyfishojmë të gjitha pensionet në Republikën e Kosovës, nuk do të ketë pension nën 300 euro në muaj”, ka shtuar ai.

