“Vitra zgjedhore”, Krasniqi kritikon ndarjen e shtesave para zgjedhjeve

Prishtinë | 01 Qer 2026 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga LDK-ja, Niq Krasniqi, ka kritikuar ndarjen e shtesave financiare nga Qeveria e Kosovës në prag të proceseve zgjedhore, duke vlerësuar se ato kanë krijuar kosto të mëdha për buxhetin e shtetit pa sjellë efekte afatgjata në zhvillimin ekonomik.

Duke folur në Top Channel, Krasniqi tha se zgjedhjet e njëpasnjëshme të mbajtura brenda një periudhe të shkurtër kanë prodhuar jo vetëm shpenzime organizative, por edhe kosto shtesë përmes ndihmave të njëhershme që, sipas tij, janë shpërndarë para zgjedhjeve.

“Në popullatë po quhen ‘vitra’, sepse vitrat zakonisht jepen në prag të festave e besimeve të ndryshme, ndërsa këto po quhen ‘vitra zgjedhore’ sepse kanë një kosto të madhe. Nëse marrim numrin e pensionistëve, studentëve, lehonave e kategorive të tjera përfituese, dalim te një shumë që secilën herë rrok afër 200 milionë euro”, deklaroi Krasniqi.

Sipas tij, vetëm nga tri procese zgjedhore, buxhetit të Kosovës i kanë munguar rreth 600 milionë euro.

“Vetëm për shkak të zgjedhjeve, buxhetit të Kosovës i kanë munguar tri herë nga 200 milionë euro, që bëjnë 600 milionë. Me 600 milionë euro zgjidhet problemi energjetik në Kosovë. Dhe problemi i energjisë, në fakt, është problemi i ekonomisë”, tha ai.

Krasniqi shtoi se kësaj shume duhet t’i shtohen edhe kostot e zgjedhjeve lokale, duke argumentuar se këto mjete janë shpenzuar pa krijuar ndikim të qëndrueshëm ekonomik.

“Kjo kosto e madhe është humbje e njëhershme e këtyre shumave pa një impakt në qëndrueshmëri. Kjo shihet në secilin hap, si në biseda me qytetarë, ashtu edhe për mua që jetoj në Vjenë e shoh rritjen e numrit të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Duke folur për fenomenin e emigrimit, Krasniqi tha se prania e qytetarëve të Kosovës në Vjenë është rritur dukshëm gjatë viteve të fundit.

“Kur kam shkuar para 30 viteve, e kishe mall ta dëgjoje dikë në rrugë që flet shqip, ndërsa tash është e pamundshme të ecësh rrugëve të Vjenës pa takuar dikë që flet gjuhën shqipe, që vjen me kërku një informacion apo rrugë të reja për migrim”, deklaroi Krasniqi.

Të ngjashme