Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, u ka dërguar një njoftim punonjësve të transmetuesit publik, duke i informuar se gjendja e rënduar financiare e krijuar pas ekzekutimit të mbi 1 milion eurove përmes procedurave përmbarimore ka ndikuar drejtpërdrejt në likuiditetin e institucionit.
Në emailin drejtuar stafit, Spahiu thekson se situata ka ndikuar në përmbushjen e obligimeve financiare të RTK-së, “përfshirë edhe ekzekutimin e pagave”.
Ajo njofton se menaxhmenti, në koordinim me Bordin, është duke shqyrtuar zgjidhjet e mundshme për tejkalimin e krizës dhe se synimi është që pagesat të realizohen sa më shpejt.
“Ju sigurojmë se kjo çështje është duke u trajtuar me prioritet të lartë dhe se do të mbeteni të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë situatë”, thuhet në njoftimin e dërguar punonjësve.
Njoftimi vjen në një kohë kur RTK po përballet me vështirësi serioze financiare, ndërsa menaxhmenti ka kërkuar mirëkuptim dhe durim nga stafi deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
Në anën tjetër, sindikata e Pavarur e RTK-së ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si ndërhyrje në proceset editoriale dhe presion ndaj stafit gazetaresk të transmetuesit publik.
Sipas Sindikatës, janë raportuar raste të shumta ku është tentuar të ndikohet në vendimmarrjen profesionale të gazetarëve dhe redaktorëve.
“Janë evidentuar raste shqetësuese të ndërhyrjeve në vendimmarrjen editoriale nga nivele të caktuara të hierarkisë institucionale.”
Sindikata vlerëson se veprime të tilla cenojnë pavarësinë editoriale dhe rrezikojnë integritetin profesional të stafit.
Po ashtu, në reagim pretendohet se janë raportuar edhe forma të tjera të presionit ndaj punonjësve.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar,
Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës (SPRTK) shpreh shqetësimin e saj të thellë dhe paraqet këtë reagim dhe ankesë zyrtare drejtuar Menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së, pas një sërë raportimesh dhe ankesash të vazhdueshme të pranuara nga gazetarë dhe redaktorë të RTK-së lidhur me ndërhyrje në proceset editoriale dhe në ushtrimin e kompetencave profesionale që u garantohen me kontratat individuale të punës, aktet e brendshme normative dhe standardet profesionale të transmetuesit publik.
Sipas informacioneve dhe raportimeve të mbledhura nga Sindikata, janë evidentuar raste shqetësuese të ndërhyrjeve në vendimmarrjen editoriale nga nivele të caktuara të hierarkisë institucionale, përfshirë tentativa për të ndikuar, kontestuar apo imponuar qëndrime në çështje që i përkasin ekskluzivisht autoritetit profesional të gazetarëve dhe redaktorëve. Veprime të tilla përbëjnë tejkalim të kompetencave institucionale, cenojnë ndarjen e përgjegjësive profesionale dhe paraqesin rrezik serioz për pavarësinë editoriale, integritetin profesional dhe kredibilitetin e RTK-së si transmetues publik.
Kujtojmë se, në përputhje me kontratat e punës, rregulloret e brendshme dhe standardet profesionale në fuqi, gazetarët dhe redaktorët janë bartës të përgjegjësisë profesionale për vlerësimin, përzgjedhjen, verifikimin, përpunimin dhe publikimin e përmbajtjeve informative. Ushtrimi i këtyre kompetencave duhet të mbështetet ekskluzivisht në parimet themelore të gazetarisë profesionale, përkatësisht saktësinë, paanshmërinë, verifikimin e fakteve, pavarësinë editoriale dhe interesin publik. Këto parime nuk mund të jenë objekt presioni, ndikimi administrativ, ndërhyrjeje hierarkike apo kompromisi të çfarëdo natyre.
Po ashtu, SPRTK ka pranuar ankesa serioze lidhur me format e komunikimit të përdorura ndaj stafit editorial, përfshirë raste të raportuara të presionit verbal, intimidimit dhe ndikimit të papërshtatshëm në vendimmarrjen profesionale. Praktika të tilla cenojnë dinjitetin e punonjësve, dëmtojnë klimën e punës dhe bien ndesh me normat etike, rregulloret e brendshme të RTK-së dhe standardet që duhet të karakterizojnë funksionimin e një institucioni publik mediatik.
Sindikata rithekson se funksionimi demokratik dhe profesional i RTK-së kërkon respektim të plotë të kufijve institucionalë ndërmjet strukturave menaxheriale dhe atyre editoriale, si dhe garantim të pakushtëzuar të autonomisë profesionale të gazetarëve dhe redaktorëve në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.
Për rrjedhojë, SPRTK kërkon ndërprerjen e menjëhershme të çdo forme ndërhyrjeje në kompetencat editoriale të garantuara me kontratë, rregullore dhe standarde profesionale;
Respektimin e plotë të pavarësisë editoriale dhe të autonomisë profesionale të gazetarëve dhe redaktorëve;
Garantimin e një mjedisi pune të sigurt, profesional dhe të liruar nga çdo formë presioni, intimidimi apo ndikimi të padrejtë;
Shqyrtimin dhe trajtimin urgjent institucional të këtyre shqetësimeve përmes mekanizmave kompetentë të RTK-së, me qëllim parandalimin e përsëritjes së rasteve të ngjashme.
Ky reagim përfaqëson përpjekjen e Sindikatës për ta adresuar këtë çështje përmes dialogut dhe mekanizmave të brendshëm të RTK-së. Megjithatë, nëse këto shqetësime nuk trajtohen me seriozitetin e kërkuar dhe nuk ndërmerren masa konkrete për eliminimin e praktikave të raportuara, SPRTK rezervon të drejtën që të ndërmarrë të gjitha veprimet sindikale dhe ligjore të parashikuara me legjislacionin në fuqi dhe aktet e saj themeluese, në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, integritetit profesional të stafit editorial dhe pavarësisë së transmetuesit publik.
Kryesia e Sindikatës së pavarur të RTK-së