Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se mbështetja e Bashkimit Evropian për integrimin e Kosovës mbetet e palëkundur, derisa theksoi se krijimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve është i domosdoshëm për avancimin e proceseve evropiane të vendit, raporton Ekonomia Online.
Osmani theksoi se formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve mbetet një ndër prioritetet kryesore për vendin.
“Ne sapo patëm një takim shumë të mirë me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Gjatë këtij takimi, rikonfirmuam edhe një herë mbështetjen tonë të plotë për procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës. Ky është një proces i domosdoshëm dhe ekzistencial për suksesin e Republikës sonë, një proces që gjatë gjithë historisë sonë politike e kemi mbështetur, pavarësisht pozicioneve dhe përgjegjësive që kemi pasur. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që menjëherë pas zgjedhjeve të krijohen institucionet e reja dhe kjo të bëhet sa më urgjentisht”, deklaroi Osmani.
Duke folur për mosmarrjen ende të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Osmani tha se ekzistojnë dy arsye kryesore që kanë ndikuar në këtë proces.
“Janë dy arsye kryesore. E para lidhet me mospajtimet që kanë ekzistuar për disa çështje me qeverinë, ndërsa pritja ka qenë që këto dallime të tejkalohen, në mënyrë që Kosova dhe Bashkimi Evropian të mund të ecin përpara me hapat substancialë që kërkojnë mbështetje politike”, tha ajo.
Sipas Osmanit, pengesa e dytë ka të bëjë me faktin se disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Problemi i dytë ka qenë se për të avancuar aplikacionin e Kosovës nga Këshilli te Komisioni Evropian, nevojitej pajtimi edhe i disa shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Megjithatë, siç e diskutuam edhe me presidentin Costa, ne rikujtuam takimet e mëhershme dhe angazhimin e përbashkët me liderët e BE-së për të punuar me shtetet mosnjohëse. Ka pasur sinjale pozitive dhe shpresë se ky hap mund të realizohej. Fatkeqësisht, kriza e krijuar pas zgjedhjeve e ka zvarritur këtë proces”, u shpreh Osmani.
