Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani në tubimin elektoral në Viti ka vlerësuar historinë e Kosovës, aleancat ndërkombëtare dhe ka prezantuar vizionin politik të saj dhe të LDK-së. Gjithashtu përmendi edhe dy rrugë e që sipas saj shteti po përballet, raporton Ekonomia Online.
Osmani në fillim të fjalimit ka nderuar të rënët për liri, figurat historike dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Prandaj, më lejoni qysh në fillim t’i nderoj tri shtyllat e fuqishme të shtetit tonë: Falënderoj organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për prezencën e tyre sot këtu. Nderojmë të gjithë dëshmorët, heronjtë e martirët, të cilët dhanë jetën në mënyrë që ne sot, të lirë, të qëndrojmë në këtë shesh të lirisë, pa frikë nga askush”, tha Osmani.
Ajo theksoi edhe figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe rëndësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
“Ta nderojmë të gjithë së bashku, po ashtu, kujtimin për mbi të gjitha rrugën që na la pas ati ynë themeltar, presidenti Ibrahim Rugova, i cili edhe nga këtu është si mburojë e shtetit të Republikës së Kosovës. Pikërisht ashtu siç do të pritej nga Vitia, por edhe nga gjithë Kosova, përkrah Rugovës e kemi si simbolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës — shtetit mburojë të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Shtetit aleat, i cili jo vetëm në vitin ’99, por edhe sot qëndron pranë Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës do të jetë përjetë mirënjohëse dhe do ta mbrojë këtë aleancë me çdo kusht”, tha ajo.
Osmani u shpreh e bindur për fitoren dhe bëri thirrje për mobilizim të votuesve në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Fitore pra, sepse unë e di shumë mirë, siç e dini secili prej jush, që kur rugovistët çohen në këmbë, nuk ka kush i ndal! Shteti ynë sot ballafaqohet me dy rrugë, dhe janë vetëm dy rrugë: Në njërën rrugë, që e përfaqëson Lidhja Demokratike e Kosovës, e keni zhvillimin, i keni investimet, e keni një plan të jashtëzakonshëm të udhëhequr nga kryeministri i ardhshëm, zoti Lumir Abdixhiku, dhe e keni integrimin euroatlantik të Republikës sonë”, tha Osmani.
Ajo kritikoi kundërshtarët politikë, duke thënë se përfaqësojnë stagnim dhe përçarje.
“Kurse në anën tjetër, që dorën në zemër e përfaqësojnë krejt këta të tjerët bashkë (sepse bashkë kanë qenë gjithmonë e bashkë janë bërë edhe tash kundër LDK-së), andej kemi atë që ka pasur historikisht: përçarje, ndarje mes shqiptarësh, stagnim, bllokim, kriza, fajësim e mbi të gjitha mungesë pune! Asnjë punë të vetme në interes të Kosovës nuk kanë mundësi ta prezantojnë para këtij populli”, u shpreh ajo.
Osmani tha se Vitia ka rol kyç në rezultatet e zgjedhjeve dhe bëri thirrje për mobilizim të votuesve.
“Prandaj, jam e bindur që më 7 qershor, përgjigjja ka me qenë e qartë si kristali… Dhe këtë qartësi jam e bindur që do t’ia japë Vitia Kosovës, duke i prirë Anamoravës në këtë fitore të madhe”, tha ajo.
“Kur katër herë jeni bërë kampion, ju bëj thirrje, Viti: mos lejoni askush t’ju dalë përpara më 7 qershor!”, shtoi Osmani.


