Abdixhiku thumbon Kurtin: Ne fëmijët nuk i shtim me recitu poezi që e ofendojnë tjetrin

Prishtinë | 03 Qer 2026 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur sot një tubim në Viti, ku ka falënderuar qytetarët për besimin ndaj LDK-së dhe ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me një rast të recitimit të një vajze, raporton Ekonomia Online.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku ka falënderuar qytetarët për organizimin dhe pjesëmarrjen në tubim.

“Ju faleminderit nga zemra për këtë tubim madhështor që e keni organizuar sot Vitii, dhe është nder, është kënaqësi e madhe të jemi sot mes jush, në këtë anë të Kosovës, këtë trevë që gjithmonë ka ditur të bëjë fortë lidhjen me tokën, me familjen, me punën, me vetë atdheun. Dhe jam veçanërisht i lumtur që jam sot këtu mes jush, në Vitinë tuaj, Vitinë tonë, në atë që mund t’i themi pa asnjë dyshim tashmë Vitia, bastioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Duke komentuar zhvillimet politike, ai ka ironizuar edhe rastin e recitimit të një vajze.

“Në fëmijët nuk i shtim me recitu poezi që e ofendojnë tjetrin, ne fëmijët i kemi krenari. Krenaria e Kosovës, e ardhmja jonë. Mbaje flamurin lart!”, u shpreh ai.

Abdixhiku theksoi gjithashtu rëndësinë e rezultateve zgjedhore në këtë komunë.

“Dhe natyrisht, në Viti, të fitosh një herë mund të jetë rastësi, të fitosh dy herë është konfirmim. Po të fitosh një herë, e dy herë, e tri herë, e katër herë, atëherë je kampion i vërtetë”, tha Abdixhiku.

Ndërkaq, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë e 100 euro gjobë për përdorimin e fëmijëve në fushatë zgjedhore.

Saktësisht, rasti ka të bëjë me vajzën rreth 10-vjeçare e cila u ftua në një tubim nga kreu i VV-së, Albin Kurti, për të recituar, ku ndër të tjera përdori shprehje si “Ju vraftë Zoti, ju vraftë Allahu”.

Të ngjashme