IKD: Asnjë parti nuk ofron reformë të plotë në drejtësi në programet zgjedhore

Prishtinë | 05 Qer 2026 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Analizë e programeve të partive politike për zgjedhjet parlamentare Qershor 2026 – Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit dhe Integrimet Evropiane”, raporton Ekonomia Online

Naim Jakaj, hulumtues në  IKD prezantoi gjetjet e kësaj analize, ku tha se njëra ndër gjetjet është se asnjëra nga partitë politike nuk e trajton në mënyrë të plotë reformën në drejtësi në programet zgjedhore.

“Gjetja e parë është se asnjëra prej partive politike nuk e trajton në mënyrë të plotë reformën në drejtësi. Edhe pse të gjitha partitë flasin për drejtësinë, efikasitetin dhe luftimin e korrupsionit, asnjëra nuk paraqet një plan të plotë reformues që lidhet drejtpërdrejt me proceset që kanë dominuar debatin gjatë viteve të fundit. Zotimet e partive politike mbeten në nivel deklarativ, ndërsa këto zotime nuk realizohen me deklarata, por me plan konkret dhe llogari institucionale. Një nga mangësitë më të dukshme është mungesa pothuajse e plotë e referimit ndaj Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021–2026. Kjo strategji ka qenë dokumenti më i rëndësishëm shtetëror për reformën në drejtësi gjatë pesë viteve të fundit. Megjithatë, as LVV, as PDK, as LDK dhe as AAK nuk e trajtojnë atë si bazë të reformave të ardhshme”, ka thënë ai.

“Po aq shqetësues është fakti se programet politike pothuajse nuk i referohen rekomandimeve të Komisionit të Venecias, edhe pse pikërisht këto rekomandime kanë orientuar debatet më të rëndësishme për reformën në drejtësi, vetingun, kompetencat e institucioneve dhe ndryshimet kushtetuese. Në fushën e sundimit të ligjit, programi i Lëvizjes Vetëvendosje është programi që trajton më shumë tema sesa partitë e tjera. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se drejtësisë i kushtohet vetëm një faqe në një program prej 34 faqesh. Për një parti që ka udhëhequr qeverinë në katër vitet e fundit dhe që e ka vendosur reformën në drejtësi në qendër të diskursit politik, kjo paraqet një trajtim relativisht të kufizuar”.

Ai, tha se LVV-ja është e vetmja parti që vazhdon ta përmendë vetingun në drejtësi, por programi nuk shpjegon se si do të realizohet ky proces.

“LVV është e vetmja parti që vazhdon ta përmendë vetingun në drejtësi. Megjithatë, programi nuk shpjegon se si do të realizohet ky proces. Amendamentet kushtetuese tashmë janë të njohura dhe janë vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese, por gjatë mandatit të kaluar nuk u sigurua mbështetja politike e nevojshme për miratimin e tyre. Programi nuk paraqet asnjë plan konkret se si do të sigurohen votat e nevojshme, veçanërisht nga deputetët e komuniteteve joshumicë.

Po ashtu, programi i LVV-së propozon krijimin e institucioneve të reja, si një prokurori e specializuar për korrupsionin dhe një zyrë për hetime disiplinore. Megjithatë, mbetet e paqartë se si këto iniciativa lidhen me institucionet ekzistuese dhe me projektligjet që vetë qeveria i ka hartuar gjatë mandatit të kaluar”, shtoi Jakaj.

Ndër gjetjet më shqetësuese sipas Jakajt është se asnjëra parti politike nuk adreson pavarësinë e mediave, Komisionit të Pavarur të Mediave dhe RTK-së.

“Një nga gjetjet më shqetësuese të analizës sonë është se asnjëra parti nuk adreson në mënyrë serioze pavarësinë e mediave, Komisionit të Pavarur për Media dhe Radio Televizionit të Kosovës. Në një kohë kur debati për pavarësinë e institucioneve të medias është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm, kjo temë pothuajse mungon në programet politike.

Në fushën e integrimeve evropiane, situata është disi më pozitive. Të gjitha partitë deklarohen qartë në favor të integrimit evropian dhe e konsiderojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian si objektiv strategjik të Kosovës. Megjithatë, edhe këtu ekziston një problem i përbashkët. Shumica e programeve flasin për integrimin evropian si synim politik, por shumë më pak flasin për reformat konkrete që duhet të realizohen për të arritur atë synim”, ka deklaruar Jakaj.

Ndërsa, Melosh Kolshi po ashtu nga IKD-ja, tha se fusha ku programet paraqiten më të dobëta është transparenca dhe llogaridhënia.

“Megjithatë, aty ku programet paraqiten më të dobëta është transparenca dhe llogaridhënia. Tre nga katër partitë politike nuk kanë paraparë masa konkrete për rritjen e transparencës në punën e Qeverisë dhe Kuvendit. Vetëm programi i AAK-së përmban propozime të drejtpërdrejta për monitorimin publik të shpenzimeve, kontratave dhe proceseve vendimmarrëse. Transparenca dhe llogaridhënia janë bazë e një qeverisje të mirë, andaj secila nga partitë është dashur ta kenë këtë indikator të detajuar dhe të prioritetizuar në programet e tyre pasi që e dijmë se qeveritë e Republikës, me theks të veçantë qeverisja e fundit, gjithëherë kanë pasur probleme në këtë drejtim dhe se reflektimi është sa i nevojshëm po ashtu edhe pashmangshëm.”, tha ai.

Kolshi, shtoi se partitë politike nuk ofrojnë mekanizma të mjaftueshëm për transparencë dhe llogaridhënie.

“Prandaj, përfundimi kryesor i analizës është se programet politike demonstrojnë vullnet për modernizimin e administratës dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, por në shumicën e rasteve nuk ofrojnë mekanizma të mjaftueshëm për transparencë, llogaridhënie dhe depolitizim – elemente të domosdoshme për një qeverisje të mirë dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike.”, tha ai.

Të ngjashme