MASHT shpall të hënën thirrjen për bursa për vajzat dhe gratë në programet STEM

Prishtinë | 05 Qer 2026 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ministri në detyrë, Hajrulla Çeku, ka marrë vendimin për shpalljen e thirrjes publike për ndarjen e bursave për studente vajza dhe gra të regjistruara për herë të parë në programet STEM në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë.

Sipas njoftimit, bursat do t’u dedikohen studenteve të regjistruara për herë të parë në vitin akademik 2025/26 në programet e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM).

“Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku ka marrë dje vendimin për shpalljen e thirrjes publike për ndarjen e bursave për studentet vajza dhe gra të regjistruara për herë të parë në vitin akademik 2025/26 në programet për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM) në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

MASHTI bëri të ditur se thirrja publike do të hapet të hënën, më 8 qershor 2026, ndërsa detajet rreth aplikimit do të publikohen me rastin e shpalljes së konkursit.

“Thirrja publike do të hapet të hënën, më 8 qershor 2026, ndërsa të gjitha informatat lidhur me kushtet e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe afatet do të publikohen në shpalljen e konkursit”, njofton ministria.

Të ngjashme