Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur fjalimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Prishtinë, ku ka deklaruar se LDK-ja është ringritur dhe se vendi po hyn në një kapitull të ri politik, raporton Ekonomia Online.
Para mbështetësve të mbledhur në sheshin e kryeqytetit, Abdixhiku e cilësoi tubimin si një moment historik për partinë dhe për Kosovën.
“Në sheshin më të madh ku kryengritja e djathtë kombëtare po merr formë, po merr trajtë, po merr flakë. Në sheshin ku historia e Kosovës do të shënojë edhe një datë, datën kur u kuptua qartë se LDK është ringritur edhe një herë në këmbë. Datën kur LDK dhe populli i Kosovës u bënë një. Datën kur themi me plot zemër: Krejt Kosova LDK. Sonte e shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën. Sonte shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë dhe kryengritjen e djathtë kombëtare si thirrje monumentale të popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ai tha se forca e qytetarëve qëndron te uniteti, duke theksuar se Kosova ka arritur fitoret më të mëdha pikërisht kur ka qenë e bashkuar.
“Në këtë natë verore, teksa qëndrojmë krah për krah me njëri-tjetrin, teksa mbështetemi te miku, te fqinji, te babai, nëna, djali e vajza, e kuptojmë fuqinë tonë kur bëhemi bashkë si një popull, nën një qiell, nën një republikë, në një Kosovë. Dhe sa herë jemi bërë bashkë, kemi ëndërruar fort, kemi luftuar fort, kemi fituar fort. Sonte po bëhemi bashkë për të fituar fort. Fitore dhe asgjë më pak se aq”, deklaroi ai.
Abdixhiku tha se tubimi po mbahej mes simboleve të rëndësishme të historisë kombëtare, duke e lidhur mesazhin e tij me unitetin shqiptar.
“Po bëhemi bashkë në supet e shtatores së shqiptarit më të madh, Ibrahim Rugovës. Në anën tjetër e gjejmë veten në hijen e shtatores së Skënderbeut dhe në këto hije të mëdha e kemi të qartë sa i madh dhe sa i shenjtë është uniteti shqiptar. Bashkë jemi të pandashëm. Bashkë kundër ndarjes, bashkë kundër urrejtjes, bashkë kundër përçarjes. Kjo është fitorja jonë e vërtetë”, tha ai.
Lideri i LDK-së vlerësoi se qytetarët po zgjedhin shpresën dhe ndryshimin, në vend të përplasjeve politike.
“Sonte populli ynë po i kapërcen zërat përçarës. Po e tregon madhështinë, urtësinë dhe vullnetin për të ecur përpara. Në këtë shesh jemi mbledhur rreth shpresës në vend të urrejtjes, rreth ëndrrës për ndryshim në vend të thirrjes për përplasje. Jemi mbledhur edhe një herë rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpresës së parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.
Ai tha se fushata e LDK-së ka qenë ndryshe nga rivalët politikë, duke pretenduar se është fokusuar në bashkim dhe jo në sulme.
“Ne nuk kemi bërë fushatë duke sharë, nuk kemi bërë fushatë duke ndarë, nuk kemi bërë fushatë duke ofenduar. Nuk kemi hyrë në këtë garë për ta mundur njëri-tjetrin, sepse në demokraci dhe në shqiptari nuk mundet bashkëqytetari yt, nuk mundet fqinji yt, nuk mundet familja tjetër e këtij vendi. Në demokraci e në shqiptari bashkëkohet, ndërtohet dhe punohet”, tha ai.
Abdixhiku kritikoi qeverisjen aktuale, duke thënë se pas gjashtë vitesh në pushtet nuk janë realizuar premtimet kryesore dhe se Kosovës i duhet një drejtim i ri.
“Kur ke 20 miliardë euro dhe nuk ke asnjë projekt, kur pas gjashtë vitesh pushtet me 50 për qind fuqi gjen ende ankesë e vajtim, kur i premton të njëjtat gjëra që i ke premtuar në fillim, i themi: Hap krah, shko anash. Kosova nuk ka më kohë për eksperimente. Hap krah, shko anash dhe shihe se si bëhen këto punë përnjëmend. Kur të ecë Kosova përpara, do të ecin përpara edhe kundërshtarët tanë politikë, sepse rrugët që do t’i ndërtojmë do të jenë edhe për ta, spitalet që do t’i bëjmë do t’u shërbejnë edhe atyre”, deklaroi Abdixhiku.


