Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Niq Krasniqi ka ndarë në rrjetet sociale një postim të një qytetari nga diaspora, i cili ka bërë thirrje për mbështetje ndaj LDK-së dhe kandidaturës së tij.
Postimi është bërë nga ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, ku qytetari thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe orientimin politik të vendit.
“Nesër është një ditë e rëndësishme për Kosovën. Është dita kur me votën tonë vendosim për drejtimin që duam për vendin tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë”, thuhet në postim.
Në vijim, ai shpreh mbështetje për LDK-në si forcë politike, duke e vlerësuar si subjekt me orientim demokratik dhe pro-perëndimor.
“Unë do ta mbështes me bindje LDK-në, si forcë demokratike, properëndimore dhe me vlera të djathta, që gjithmonë ka punuar për një Kosovë të zhvilluar, të fortë dhe të lidhur ngushtë me aleatët tanë perëndimorë”, shkruan qytetari.
Në postim kërkohet gjithashtu mbështetje për kandidatin Niq Krasniqi, i cili përfaqëson mërgatën në listën e LDK-së.
“Një mbështetje të veçantë kërkoj për vëllain tim, Niqin, kandidat i LDK-së me numër 98 në listë (113). Si përfaqësues i mërgatës, ai e njeh nga afër jetën, sfidat dhe kontributin e bashkatdhetarëve tanë kudo në botë dhe dëshiron që zëri i tyre të dëgjohet më fuqishëm në institucionet e Kosovës”, thuhet më tej.
Qytetari u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në votime dhe të mbështesin LDK-në dhe kandidatin e saj.
“Ju ftoj që nesër të dilni në votime dhe ta mbështesni LDK-në 113 dhe Niqin me numër 98. Çdo votë ka peshë. Çdo votë bën dallim. Faleminderit për besimin dhe mbështetjen!”, thotë postimi.
